E thirra, por ai nuk m’u përgjigj.
Kënga e Këngëve 5:6
Ka raste kur lutja duhet të presë si një hallexhi përpara portës, derisa të dalë Mbreti me bekimet që ajo kërkon. Dihet që kur Zoti jep besim të madh, Ai e vë atë në provë përmes vonesave të gjata. Madje Ai ka bërë që zërat e shërbëtorëve të Tij të jehojnë në veshët e tyre sikur të ktheheshin mbrapsht nga një qiell i bronztë. Ata kanë trokitur në portën e artë, por ajo nuk është hapur, sikur t’i kishte menteshat të ndryshkura. Ashtu si Jeremia, ata kanë klithur: “Ti je mbështjellë në një re, që asnjë lutje të mos kalonte dot” (Vajtimet 3:44).
Kështu, shenjtorët e vërtetë kanë vazhduar të presin me durim pa marrë përgjigje, jo sepse lutjet e tyre nuk ishin të zjarrta, as sepse nuk ishin të pranuara, por sepse kështu i pëlqeu Atij që është Sovrani, i cili jep sipas dëshirës së Tij. Në qoftë se dëshiron të na e provojë durimin, a nuk do të bëjë Ai vallë ashtu si do me fëmijët e Vet? Lypësit nuk duhet të kenë të drejtë zgjedhjeje për sa i përket vendit, kohës apo formës.
Mirëpo, nga ana tjetër, ne duhet të bëjmë kujdes që vonesat në përgjigje të mos i marrim si lutje të refuzuara, sepse çeqet e Perëndisë do të paguhen me përpikëri sapo t’u vijë afati. Nuk duhet ta lëmë të paudhin që të na e tronditë besimin në Perëndinë e së vërtetës, duke na treguar lutjet e parealizuara. Ato lutje nuk është se nuk janë dëgjuar. Perëndia mban një dosje për lutjet tona—ato nuk i merr era, por ruhen me dashuri në arkivat e Mbretit. Në oborrin e qiellit gjendet një regjistër në të cilin shënohet çdo lutje.
Besimtar i sprovuar, nëse mund ta shprehim kështu, Zoti yt ka një lotore në të cilën mblidhen pikat e vyera të dhimbjes sate të shenjtë, dhe një libër në të cilin regjistrohen psherëtimat e tua të shenjta. Edhe pak dhe përgjërimi yt do të dëgjohet. A nuk je vallë i kënaqur të presësh edhe pak? A nuk është më e mirë koha e Zotit sesa jotja? Edhe pak dhe Ai do të shfaqet me ngushëllim për gëzimin e shpirtit tënd; do të të bëjë ta hedhësh tej thesin dhe hirin e pritjes së gjatë, që pastaj të vishesh me një mantel të kuq të ndezur prej liri të hollë të përmbushjes së plotë.
© dritez.al 2024