spurgeon dev 29 korrik am
July 2023

Por megjithatë, unë jam gjithnjë me ty.

Psalmi 73:23

“Por megjithatë”—kjo do të thotë se me gjithë marrëzinë dhe paditurinë që Asafi sapo ia kishte rrëfyer Perëndisë, mbetej fakti i sigurt dhe i vërtetë se, megjithatë, ai ishte i shpëtuar dhe i pranuar, dhe se bekimi i të qenët vazhdimisht në praninë e Perëndisë, ishte pa asnjë fije dyshimi mbi të. Edhe pse ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për gjendjen e tij të humbur, për falsitetin dhe ligësinë e natyrës së tij, nga një shpërthim i lavdishëm besimi, ai këndon: “Por megjithatë, unë jam gjithnjë me ty.”

Besimtar, edhe ti je i detyruar të hysh në rrëfimin dhe pranimin e Asafit; përpiqu edhe ti që, në të njëjtën frymë, të thuash: “Por megjithatë, meqenëse i përkas Krishtit, unë jam gjithnjë me Perëndinë!”. Me këtë nënkuptohet se Ai më ka vazhdimisht në mendje—Ai është duke menduar gjithnjë për mua, për të mirën time. Vazhdimisht përpara syve të Tij—sytë e Zotit nuk flenë asnjëherë, por janë gjithnjë duke vigjiluar për të mirën time. Vazhdimisht në duart e Tij, kështu që asnjë nuk do të jetë i aftë të më shkulë prej tyre. Vazhdimisht në zemrën e Tij, i gdhendur aty si një përmendore, ashtu sikurse kryeprifti i mbante emrat e dymbëdhjetë fiseve mbi zemrën e vet për jetë e mot.

Ti, o Perëndi, gjithnjë mendon për mua! Mëshirat e ëmbla të dashurisë Sate digjen vazhdimisht për mua. Ti gjithnjë e bën provaninë të veprojë për të mirën time. Ti më ke vënë si një vulë mbi krahun Tënd; dashuria Jote është e fortë si vdekja, dhe ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Ç’hir befasues! Ti më sheh në Krishtin, dhe megjithëse në vetvete jam kaq i papëlqyeshëm, Ti më sheh sikur të kisha veshur petkat e Krishtit dhe sikur të isha larë në gjakun e Tij, dhe kështu qëndroj i pranuar në praninë Tënde. Prandaj jam vazhdimisht i rrethuar nga favori yt—“gjithnjë me ty”.

Këtu ka ngushëllim për shpirtin e sprovuar dhe të munduar. Nëse ndihesh i trazuar nga stuhia e brendshme, pa shih pak qetësinë e jashtme. “Por megjithatë”—oh, thuaje këtë fjalë në zemrën tënde dhe merre paqen që ajo të fal. “Por megjithatë, unë jam gjithnjë me ty.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin