“Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë.”
Gjoni 6:37
Kjo shpallje ka të bëjë me doktrinën e zgjedhjes: ka disa që Ati ia ka dhënë Krishtit. Ka të bëjë gjithashtu me doktrinën e thirrjes së efektshme: ata që i janë dhënë Atij, duhet dhe do të vijnë. Sado të vendosur të jenë për ta kundërshtuar këtë thirrje, prapëseprapë, ata do të nxirren nga errësira për t’u shpënë në dritën e mrekullueshme të Perëndisë. Na mëson gjithashtu nevojën e domosdoshme për besimin, sepse edhe ata që i janë dhënë Krishtit, nuk shpëtohen po qe se nuk shkojnë te Krishti. Madje edhe ata duhet të vijnë, sepse nuk ka rrugë tjetër për të hyrë në qiell, përveç derës, që është Krishti Jezus. Të gjithë ata që Ati ia jep Shpëtimtarit tonë, duhet të shkojnë tek Ai; domethënë, askush nuk mund të shkojë në qiell pa kaluar përmes Krishtit.
Oh, sa fuqi dhe madhështi mbartin fjalët “do të vijë”! Ai nuk thotë se ata kanë fuqi për të ardhur, dhe as se ata mund të vijnë nëse dëshirojnë, por se ata “do të vijnë”. Zoti Jezus, me anë të lajmëtarëve të Tij, Fjalës dhe Frymës së Vet, me ëmbëlsi dhe hir, i bind njerëzit që të vijnë, me qëllim që të marrin pjesë në gostinë e dasmës së Tij. Ai nuk e bën këtë duke dhunuar lirinë e vullnetit njerëzor, por me anë të fuqisë së hirit të Tij. Unë mund të ushtroj forcë mbi vullnetin e dikujt tjetër, e megjithatë, vullneti i këtij personi mund të jetë absolutisht i lirë, për shkak se shtrëngimi është ushtruar në përputhje me ligjet e mendjes njerëzore. Jahveh-u Jezus di se si përmes argumentesh të pakundërshtueshme që i drejtohen intelektit, përmes arsyesh të fuqishme që u drejtohen ndjenjave, si dhe nëpërmjet ndikimit të mistershëm të Frymës së Tij të Shenjtë që vepron mbi të gjitha fuqitë dhe pasionet e shpirtit, ta nënshtrojë në një mënyrë të atillë gjithë njeriun, saqë po ai njeri që dikur ngrinte krye kundër Perëndisë, tani i dorëzohet me gëzim sundimit të Tij, i nënshtruar nga dashuria sovrane. Mirëpo, si mund ta marrim vesh se kë ka zgjedhur Perëndia? Pikërisht përmes këtyre gjërave: ata e pranojnë Krishtin me gëzim dhe me dëshirë, dhe shkojnë tek Ai me besim të thjeshtë e të mirëfilltë, duke u prehur në Të si gjithë shpëtimi dhe dëshira e tyre. Lexues, a ke shkuar edhe ti kështu te Zoti Jezus?
© dritez.al 2024