January 2023

…gjërave që nuk shihen...

2 e Korintasve 4:18

Është mirë që, gjatë shtegtimit tonë të krishterë, t’i mbajmë sytë përpara shumë shpesh. Përpara gjendet kurora, dhe po në atë drejtim gjendet qëllimi ynë. Qoftë për shkak të shpresës që mbart, të gëzimit apo të ngushëllimit, qoftë për dashurinë që frymëzon, në fund të fundit, e ardhmja duhet të jetë objekti madhështor ku mbeten sytë e besimit. 

Kur shohim në të ardhmen, shohim mëkatin të hedhur përjashta, trupin e mëkatit dhe vdekjen të shkatërruar, shpirtin që është përsosur dhe është bërë i denjë për të qenë pjesëtar i trashëgimisë së shenjtorëve në dritë. Duke parë më tutje në horizont, syri i ndriçuar i besimtarit mund të vështrojë lumin e kapërcyer të vdekjes, përroin e kaluar të zymtësisë dhe kodrat e ngjitura të dritës mbi të cilat gjendet qyteti qiellor. Ai e sheh veten tek hyn brenda portave të margaritarta, i përshëndetur si më shumë se një fitimtar, i kurorëzuar nga dora e Krishtit, i shtrënguar nga krahët e Jezusit, i përlëvduar me Të dhe i ulur bashkë me Të në fronin e Tij, ashtu si edhe Ai ka ngadhënjyer dhe është ulur me Atin në fronin e Këtij të fundit. Mendimi i kësaj të ardhmeje e çan me lehtësi errësirën e së kaluarës dhe zymtësinë e së tashmes. Nuk ka dyshim që gëzimet e qiellit do të na shpërblejnë për pikëllimet e tokës. 

Heshtni, heshtni, dyshimet e mia! Vdekja nuk është veçse një përrua i ngushtë, të cilin shumë shpejt do ta keni kapërcyer. Sa e shkurtër koha, sa e gjatë përjetësia! Vdekja është vetëm një çast, ndërsa pavdekësia e pafundme! Rruga që mbetet është shumë, shumë e shkurtër! Shpejt do të kem arritur atje, në destinacion.

Kur bota zemrën ma çjerr
Me stuhinë e saj më të fortë t’shqetësimit,
Mendimet e mia t’gëzueshme ngjiten në qiell,
Duke gjetur strehë prej dëshpërimit.
Vizion i ndritshëm i besimit do t’më mbajë të fortë,
Derisa t’ketë mbaruar kjo jetë shtegtimi;
Mund t’më mundojë frika dhe hallet t’më trazojnë,
Por, gjithsesi, në shtëpi do të mbarojë ky udhëtim imi.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>