Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja.
Zanafilla 8:11
Bekuar qoftë Zoti për një tjetër ditë mëshire, edhe pse tani ndihem i lodhur nga mundimet e saj. Këngën time të mirënjohjes ia kushtoj rojtarit të njerëzve. Pëllumbi nuk gjeti ndonjë vendpushim jashtë arkës, kështu që u kthye në të. Po kështu, shpirti im ka mësuar sot më shumë se kurrë më parë, se kënaqësia nuk gjendet në gjërat tokësore dhe se prehja gjendet vetëm te Perëndia.
Për sa i përket biznesit tim, pasurive të mia, familjes sime dhe arritjeve të mia, të gjitha këto gjëra janë të mjaftueshme në mënyrën e tyre, por ato nuk mund t’i përmbushin dot dëshirat e natyrës sime të amshueshme. “Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse ZOTI të mbushi me të mira.” (Psalmi 116:7) Muzgu i paqtë po binte mbi ujëra dhe portat e ditës ishin në të mbyllur, kur, me krahë të rënduar, pëllumbi u kthye tek i zoti.
O Zot, më aftëso këtë mbrëmje, që edhe unë të kthehem te Jezusi! Pëllumbi nuk e kalonte dot natën duke fluturuar mbi ujërat e trazuara, kështu edhe unë nuk mund të duroj dot të qëndroj as edhe për një orë tjetër larg Jezusit, prehjes së zemrës sime dhe shtëpisë së shpirtit tim. Pëllumbi nuk u ul mbi çatinë e arkës, por “u kthye tek ai [Noeu]”, kështu edhe shpirti im i përmalluar dëshiron të arrijë në vendin e fshehtë të Zotit, të zhbirojë brendësinë e së vërtetës, të zbulojë se çfarë fshihet prapa perdes dhe të arrijë Të Dashurin tim në çdo vepër.
Duhet të vij te Jezusi: shpirti im i përmalluar nuk mbijeton dot pa një marrëdhënie të shtrenjtë dhe intime me Të. I Bekuari Zoti Jezus, ji me mua, m’u dëfte dhe qëndro me mua deri në të aguar, me qëllim që edhe kur të zgjohem, të jem me Ty! Unë vërej se pëllumbi mbante në sqep një degë ulliri të këputur, kujtimin e ditës që po mbyllej dhe një profeci për të ardhmen. A nuk kam vallë ndonjë kujtim të kënaqshëm për ta sjellë në shtëpi apo ndonjë zotim dhe kapar dashamirësie të ardhshme? Po, Zoti im, të paraqes falënderimet e mia plot mirënjohje për mëshirat dashamirëse, të cilat kanë qenë të ripërtërira çdo mëngjes dhe të freskëta çdo mbrëmje! Tani, të lutem, zgjate dorën dhe merre pëllumbin Tënd në kraharor!
© dritez.al 2024