spurgeon dev 29 gusht pm
Gusht 2023

Gjatë gjithë kohës së veçimit të tij, ai nuk do të hajë asnjë prodhim të vreshtit, as kokrrat, as lëkurën e rrushit.

Numrat 6:4

Mes zotimeve të tjera, nazirenjtë kishin marrë edhe një që ua ndalonte përdorimin e verës. Me qëllim që të mos e shkelnin këtë përkushtim, atyre u ndalohej të pinin uthull të bërë nga vera ose pije të forta alkoolike, dhe për ta bërë edhe më të rreptë këtë rregull, nuk duhet të preknin as lëngun e pafermentuar të rrushit, ose madje edhe kokrrat e rrushit, qofshin ato të freskëta ose të thata. Kështu, pra, për të mos lejuar shkeljen e zotimit, atyre nuk u lejohej të preknin asgjë që kishte të bënte me verën; në fakt, ata ishin të detyruar t’i shmangeshin qoftë edhe dukjes së ligë.

Me siguri që ky është një mësim i mirë për të veçuarit e Zotit, i cili i udhëzon ata që t’i shmangen mëkatit në çdo formë të mundshme, duke evituar jo vetëm format më të rënda të tij, por edhe frymën e tij dhe çdo gjë tjetër të ngjashme me të. Në ditët e sotme, një ecje e tillë kaq e disiplinuar përbuzet shumë, por ji i sigurt, lexues i dashur, se është shtegu më i sigurt dhe më i lumtur. Ai që i bën një apo dy lëshime botës, është në rrezik të madh; ai që ha rrushin e Sodomës, shpejt do të pijë nga vera e Gomorrës. Një e çarë e vogël në argjinaturat e Holandës bën që deti të hyjë brenda dhe e çara shpejt zmadhohet derisa shkakton përmbytjen e një province të tërë.

Përshtatja me botën, në çfarëdo shkalle qoftë, është një kurth për shpirtin dhe e bën atë gjithnjë e më të prirë për mëkate të vullnetit. Veç kësaj, nazireu që pinte lëng rrushi, nuk mund të ishte krejtësisht i sigurt nëse lëngu ishte fermentuar ose jo, dhe si rrjedhojë, kishte dyshime nëse e kishte shkelur ose jo zotimin. Në të njëjtën mënyrë, edhe i krishteri që dorëzohet dhe luhatet, nuk mund të ketë një ndërgjegje të qetë, por do të jetë vazhdimisht i vetëdijshëm për standardin e tij të dyfishtë. Nuk ka pse të shqetësohemi për gjërat e dyshimta, sepse ato janë të dëmshme për ne. Nuk duhet të luajmë me gjërat që na shtien në ngasje, por duhet t’ia mbathim sa më shpejt prej tyre. Më mirë të na përqeshin si puritanë, sesa të na përbuzin si hipokritë. Ecja e kujdesshme mund të kërkojë shumë vetëmohim, por kënaqësitë që vetëm ajo mund t’i falë, përbëjnë një shpërblim më se të mjaftueshëm.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin