spurgeon dev 28 am
October 2023

Unë ju zgjodha nga bota.

Gjoni 15:19

Ja ku kemi një hir diferencues dhe një kujdes diskriminues [në kuptimin pozitiv të fjalës], sepse disa janë kthyer në përfituesit e veçantë të dashurisë hyjnore. Mos ki frikë të qëndrosh mbi këtë doktrinë të lartë të zgjedhjes! Kur ta kesh mendjen të rënduar e të shkurajuar, kjo doktrinë do të të shërbejë si një qetësues frymëror. Ata që i vënë në dyshim doktrinat e hirit apo i lënë ato në një qoshe, po humbasin mundësinë për të shijuar vilet më të pasura të rrushit, verërat e vjetra dhe gjellët e zgjedhura.

Nuk ka balsam në Galaad që mund të krahasohet me to. Nëse mjalti në pyllin e Jonathanit ta bën më të qartë shikimin, thjesht duke shijuar pak prej tij, ky është mjaltë që do të ta ndriçojë zemrën teksa i do dhe i mëson të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë. Duhet të ushqehesh me të; jeto me këtë furnizim të zgjedhur, dhe mos ki merak, sepse nuk do të të velë! Mishi nga tryeza e Mbretit nuk do t’i bëjë dëm askujt prej oborrtarëve të Tij. Dëshiro me zell të të hapet mendja, me qëllim që të mund të kuptosh gjithnjë e më tepër dashurinë e përjetshme, të amshuar dhe dalluese të Perëndisë.

Kur t’i jesh ngjitur një mali aq të lartë sa zgjedhja, kalo edhe ca kohë në çukën binjake, [që njihet ndryshe si] besëlidhja e hirit. Zotimet e besëlidhjes janë fortesat e pamposhtura pas të cilave mbrohemi; zotimet e besëlidhjes së bashku me Shpëtimtarin tonë, Krishtin Jezus, janë vendpushimet plot paqe të frymëve drithëruese.

I Tiji gjak, besëlidhje, betim
M’mbështesin mes ujërave plot tërbim;
Kur ndihm’ e botës bie posht’,
Themeli dhe fuqia ime ësht’.

Në qoftë se Jezusi mori përsipër të më çonte në lavdi dhe në qoftë se Ati premtoi se do të më falte te Biri i Tij, për të qenë pjesë e shpërblimit të pafund që ky i fundit fitoi falë mundimit të shpirtit të Tij, atëherë, shpirti im, mund të prehesh i sigurt, sepse Perëndia nuk ka si të mos u qëndrojë besnik premtimeve të veta apo Jezusi të pushojë së qeni e vërteta. Kur Davidi kërceu përpara arkës së besëlidhjes, i tha Mikalit se zgjedhja hyjnore e kishte shtyrë ta bënte një gjë të tillë. Eja, shpirti im, hidh valle përpara Perëndisë së hirit, dhe le të gufojë zemra jote nga gëzimi!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>