spurgeon dev 28 pm
October 2023

Koka e tij është ar i kulluar, kaçurrelat e flokëve të tij janë rrica-rrica, të zeza korb.

Kënga e Këngëve 5:11

Nuk ka krahasim që e përshkruan Zotin Jezus, por bashkëshortja përdor termat më të mirë që i vijnë ndoresh. Me kryet e Jezusit mund të kuptojmë hyjninë e Tij, sepse “kreu i Krishtit është Perëndia” (1 e Korintasve 11:3); kështu që lingota e arit të kulluar është metafora më e qëlluar, megjithëse është tepër e varfër për të përshkruar një person kaq të vyer, kaq të dëlirë, kaq të shtrenjtë e kaq të lavdishëm. Jezusi nuk është një grimcë ari, por një rruzull i tërë ari, një masë e paçmuar thesari që nuk e ka shoqen as në tokë dhe as në qiell.

Krijesat nuk janë gjë tjetër veçse hekur dhe argjilë—ato të gjitha do të digjen si dru, sanë dhe kashtë; por Kreu i amshuar i krijimit të Perëndisë do të shkëlqejë për jetë e mot. Duke qenë i papërlyer e i papërzier, në të nuk gjendet as edhe një grimcë e vogël aliazhi. Nga përjetësia në përjetësi, Ai është pafundësisht i shenjtë dhe njëqind për qind hyjnor. Kaçurrelat rrica-rrica simbolizojnë fuqinë e Tij burrërore. Nuk ka asnjë tipar të zhburrnuar në Zotin tonë. Nuk ka burrë që të jetë më burrëror sesa Ai—guximtar si një luan, punëtor si një ka dhe i shpejtë si një shqiponjë. Në Të gjendet çdo bukuri e imagjinueshme dhe e paimagjinueshme, megjithëse një herë e një kohë u përçmua dhe u hodh poshtë nga njerëzia.

Koka e Tij flori kulluar;
Aromë përhap ëmbëlsisht,
Të tijat kaçurrela rrica-rrica
Si pendë korbi të zeza pisë.

Nuk ka asgjë që ta zhdukë lavdinë nga kryet e Tij. Ai është i kurorëzuar përjetësisht me madhështi të pashoqe. Flokët e zinj tregojnë freski rinore, sepse Jezusi ka mbi Vete vesën e rinisë së Tij. Të tjerët ligështohen me kalimin e moshës, por Ai është përjetë e mot një Prift sipas rendit të Melkisedekut; të tjerët vijnë e shkojnë, por Ai qëndron si Perëndi përjetësisht mbi fronin e Tij. Sonte do ta soditim dhe do ta adhurojmë Atë. Kur engjëjt e kundrojnë gjithë vëmendje—të shpenguarit e Tij nuk duhet t’i largojnë sytë prej Tij. Ku mund ta gjejnë tjetër një Të Dashur të tillë? Oh, sa e mirë është një orë përbashkësie me të! Shporruni tutje, ju shqetësime furacake! Jezusi më tërheq te Vetja dhe unë ngarend pas Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>