Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
Psalmi 33:13
Mbase nuk ka figurë letrare që ta paraqesë Perëndinë në një mënyrë më të hirshme sesa metafora që e përshkruan Atë duke lënë fronin e Vet dhe duke zbritur nga qielli për të përmbushur nevojat e njerëzimit dhe për të vështruar vuajtjet e tij. Ne e duam Atë, i cili, edhe kur Sodoma dhe Gomorra ishin përmbytur nga paudhësia, nuk i shkatërroi ato qytete pa i vizituar Vetë për ta parë gjendjen në vend. Nuk kemi se si të mos e shfaqim dashurinë e madhe që ndiejmë në zemrat tona për Zotin tonë, i cili e afron veshin nga lavdia më e lartë dhe e vendos atë mbi buzët e mëkatarit që po jep shpirt, zemra e lodhur e të cilit digjet nga dëshira për t’u pajtuar me Të. Si mund të mos e duam kur e dimë se Ai numëron madje edhe fijet e flokëve që kemi në kokë, na shenjon shtegun dhe na drejton hapat?
Kjo e vërtetë e madhe përvetësohet nga zemrat tona veçanërisht atëherë kur e kuptojmë se sa i kujdesshëm është Ai, jo vetëm ndaj nevojave materiale të krijesave të Tij, por edhe ndaj nevojave të tyre frymërore. Megjithëse mes krijesës së fundme dhe Krijuesit të pafundmë gjendet një hendek i madh sa deti, prapëseprapë ekzistojnë disa lidhje që i bashkojnë të dy. Kur të rrjedh qoftë edhe një lot, mos mendo kurrë se Perëndia nuk e sheh atë; sepse “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm ZOTI me ata që kanë frikë prej tij” (Psalmi 103:13). Ofshama jote arrin ta prekë zemrën e Jahveh-ut; pëshpërima jote mund ta bëjë veshin e Tij të të dëgjojë me kujdes; lutja jote mund ta ndalë dorën e Tij; besimi yt mund ta lëvizë krahun e Tij. Mos mendo se Perëndia ulet diku atje lart pa e vrarë fare mendjen për ty! Kujtohu se sado i vobektë e nevojtar të jesh, prapëseprapë, Zoti mendon për ty! “Në të vërtetë sytë e ZOTIT përshkojnë tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij” (2 i Kronikave 16:9).
Oh, përsërite, pra, t’vërtetën që kurrë nuk t’lodh;
Nuk ka Perëndi si Ai që shpirti më dëshiron;
Ai që me zërin e Vet e bën qiellin të dridhet,
I madh siç është, drejt meje përkulet.
© dritez.al 2024