spurgeon dev 28 shtator pm
September 2023

“Kthehu të shikosh, shtatë herë.”

1 i Mbretërve 18:43

Suksesi është i sigurt atëherë kur Zoti e ka premtuar atë. Megjithëse mund të jesh lutur për muaj të tërë pa marrë ndonjë përgjigje, Zoti nuk ka se si të qëndrojë i shurdhër kur populli i Vet lutet me shumë zell për një çështje që ka të bëjë me lavdinë e Tij. Profeti në majë të malit Karmel vazhdoi të ndeshej me Perëndinë, dhe për asnjë çast nuk iu dorëzua frikës, sepse nuk ishte i denjë për oborret e Jahveh-ut. Gjashtë herë u kthye shërbëtori, por në secilin rast atij nuk iu tha asnjë fjalë tjetër përveç: “Kthehu të shikosh.”

As të mos na shkojë në mendje mosbesimi, por le të kapemi fort pas besimit tonë, madje deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë. Besimi e dërgon shpresën plot prishmëri të shohë nga maja e Karmelit, dhe në qoftë se asgjë nuk duket prej andej, e dërgon sërish e sërish. Në vend që të demoralizohet nga zhgënjimet e shpeshta, besimi rigjallërohet për t’iu lutur me zjarr edhe më të madh Perëndisë së tij. Mund të përulet, por nuk dorëzohet: rënkimet e tij bëhen edhe më të thella dhe ofshamat e tij edhe më të forta, por ai kapet fort dhe nuk e lëshon dorën. Njeriut prej mishi dhe gjaku, në fakt, do t’ia donte më shumë zemra të merrte një përgjigje më të shpejtë, por shpirtrat e besimtarëve janë mësuar të binden dhe ta pranojnë si një gjë të mirë, si të presin për Zotin ashtu edhe të presin në Të. Përgjigjet e vonuara shpesh e bëjnë zemrën që ta hulumtojë veten, dhe kështu e çojnë atë në pendim dhe ripërtëritje frymërore: në këtë mënyrë, prishjes sonë i jepen goditje vdekjeprurëse, ndërsa idhujt flaken tej. Ekziston rreziku i madh që njerëzve t’u bjerë vilani dhe ta humbasin bekimin.

Lexues, mos bjer në atë mëkat, por vazhdo t’i mbash sytë hapur dhe të lutesh! Më së fundi u duk reja e vockël, pararendësja e sigurt e reshjeve të shumta; dhe kështu do të ndodhë edhe me ty, sepse me siguri do të të jepet paralajmërimi për të mirat, dhe ti do të ngrihesh si një princ ngadhënjimtar për të shijuar mëshirën që ke kërkuar. Elia ishte një njeri me të njëjtat pasione si ne: fuqia e tij në Perëndinë nuk qëndronte në meritat e Tij. Në qoftë se lutja e tij plot besim pati kaq shumë efekt, përse të mos ketë të njëjtin rezultat edhe lutja jote? Përgjëroju gjakut të çmuar me ngulm të paepur dhe do të shohësh se si do të realizohet dëshira jote!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>