Shpresa ime vjen nga ai.
Psalmi 62:5
Vetëm besimtari ka privilegjin që t’i përdorë këto fjalë. Shpresa e tij do të ishte një shpresë vërtet e kotë nëse do të bazohej në gjërat e kësaj bote. Mirëpo, nëse ai sheh drejt Perëndisë për plotësimin e nevojave të veta, qofshin këto bekime materiale apo frymërore, shpresa e tij nuk do të jetë e kotë. Ai mund të tërheqë vazhdimisht nga banka e besimit dhe nevojat e tij do të plotësohen nëpërmjet pasurive të dashamirësisë së Perëndisë. Këtë unë e di mirë: Është më mirë të kem Perëndinë si bankierin tim, sesa të gjithë Rotshildët (Rothschilds) e botës.
Zoti im asnjëherë nuk pushon së i mbajturi premtimet e Tij, madje kur ato ia sjellim përpara fronit të Tij, Ai nuk i kthen kurrë mbrapsht pa u dhënë përgjigje. Për këtë arsye, do të pres vetëm përpara derës së Tij, sepse Ai përherë e hap me dorën e hirit të Tij zemërgjerë. Pikërisht tani do të kthehem sërish tek Ai.
Mirëpo, ne kemi “shpresa” që shkojnë përtej kësaj jete. Shpejt do të ndërrojmë jetë dhe edhe atëherë “shpresa jonë do të vijë nga Ai”. A nuk presim vallë që kur të na vijë ora e lëngatës, Ai të dërgojë engjëj për të na marrë në prehrin e Tij? Ne besojmë se kur pulsi të dobësohet dhe zemra të rrahë me mundim, një engjëll lajmëtar do të qëndrojë përpara nesh, do të na shohë plot dashuri dhe do të na pëshpëritë: “Eja!”. Tek i afrohemi portës së qiellit, presim të dëgjojmë ftesën e mirëseardhjes: “Ejani, të bekuar të Atit tim; trashëgoni mbretërinë që u bë gati për ju që nga themelimi i botës” (Mateu 25:34). Presim të shohim harpa të arta dhe kurora lavdie; shpresojmë që shpejt të jemi në shoqërinë e shenjtorëve me rroba të ndritshme përpara fronit; presim me padurim dhe madje digjemi nga dëshira për çastin kur do të jemi si Zoti ynë i lavdishëm—sepse “do ta shohim atë sesi është” (1 e Gjonit 3:2).
Nëse këto janë shpresat e tua, atëherë, shpirti im, jeto për Perëndinë! Jeto me dëshirën dhe vendosmërinë për ta përlëvduar Atë falë hirit të të cilit, të shfaqur në zgjedhjen, shpengimin dhe thirrjen tënde, ti mban “shpresa” për lavdinë e ardhshme.
© dritez.al 2024