Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që ZOTI kishte shqiptuar me anë të Elias.
1 i Mbretërve 17:16
Vëreni besnikërinë e dashurisë hyjnore. Duket qartë se kjo grua kishte nevoja të përditshme. Ajo duhej të ushqente veten dhe të birin në një kohë kur kishte rënë zia e bukës; dhe tani përveç vetes dhe të birit, ajo duhej të mbante me bukë edhe profetin Elia. Mirëpo, edhe pse nevoja ishte trefishuar, furnizimi nuk mbaroi, sepse ishte i vazhdueshëm. Ajo merrte miell nga ena e miellit çdo ditë, por sasia e tij mbetej përditë e njëjtë.
I dashur lexues, edhe ti ke nevoja të përditshme dhe për shkak se ato vijnë njëra pas tjetrës, mund të të zërë frika se ena e miellit do të boshatiset dhe qypi i vajit do të shterojë një ditë. Ji i sigurt se një gjë e tillë nuk do të të ndodhë, siç thotë edhe Fjala e Perëndisë. Ndonëse secila ditë sjell me vete vështirësinë e saj, ajo mbart edhe ndihmën për të. Edhe sikur të jetoje më gjatë se Methuselahu, madje edhe sikur nevojat e tua të ishin më të shumta sesa rëra e bregdetit, prapëseprapë, hiri dhe mëshira e Perëndisë do të mjaftonin për të gjitha nevojat e tua dhe kurrë nuk do ta njihje ngushticën.
Për plot tre vjet, në kohën e kësaj vejushe, qiejt nuk panë kurrë një re dhe nga yjet nuk u derdh asnjë lot i shenjtë vese mbi tokën e ligë: zia e bukës, shkretimi dhe vdekja e kthyen tokën në një shkretëtirë vajtuese, por kjo grua nuk mbeti asnjë vakt pa ngrënë, por ishte përherë e gëzuar në begati. Kështu do të ndodhë edhe me ty! Do ta shohësh shpresën e mëkatarit tek humbet, sepse ai beson në veten e vet; do ta vështrosh vetëbesimin e fariseut krenar të thërrmohet, sepse ai e ndërton shpresën e tij mbi rërë; madje do të vëresh edhe vetë planet e tua tek shkatërrohen, por ti vetë do të zbulosh që nevojat e tua të përditshme, plotësohen me bollëk. Më mirë të kesh Perëndinë si mbrojtësin tënd, sesa Bankën a Anglisë si pronën tënde. Mund ta harxhosh tërë pasurinë e kombeve, por kurrë nuk mund t’i sosësh mëshirat e pafundme të Perëndisë.
© dritez.al 2024