Duke i drejtuar sytë te Jezusi.
Hebrenjve 12:2
Është puna e përhershme e Frymës së Shenjtë që t’i largojë sytë tanë prej vetes sonë për t’i drejtuar te Jezusi, ndërsa puna e qoftëlargut është pikërisht e kundërta e saj; ai gjithnjë përpiqet të na bëjë që t’i drejtojmë sytë te vetja në vend që t’i drejtojmë te Krishti. “Mëkatet e tua janë shumë të mëdha për t’u falur; nuk ke besim; nuk pendohesh aq sa duhet; nuk do të jesh kurrë i aftë të vazhdosh deri në fund; nuk e ke gëzimin e fëmijëve të Tij; kapja jote pas Krishtit është kaq e brishtë”, këto na i shtie ai në mendje plot ligësi. Të gjitha këto janë mendime rreth vetes, dhe asnjëherë nuk do të gjejmë ngushëllim apo siguri duke shikuar përbrenda.
Mirëpo, Fryma e Shenjtë na i largon plotësisht sytë prej vetes sonë: Ai na thotë se ne nuk jemi asgjë, por se Krishti është gjithçka. Prandaj, kujtoja vetes se nuk është kapja jote pas Krishtit që të shpëton—është Krishti; nuk është gëzimi yt në Krishtin që të shpëton—është Krishti; madje nuk është as besimi yt në Krishtin, megjithëse ai është instrumenti që përdoret në këtë rast, por, përkundrazi, janë gjaku dhe meritat e Krishtit.
Prandaj, mos i mbaj sytë te dora me të cilën e shtrëngon Krishtin, por te Krishti; mos i mbaj sytë te shpresat e tua, por te Jezusi, burimi i shpresave të tua; mos i mbaj sytë te besimi yt, por te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit tënd.
Nuk do të gjejmë kurrë lumturi duke i drejtuar sytë te lutjet, veprat apo ndjenjat tona; shpirtit tonë i fal paqe jo fakti se kush jemi ne, por se kush është Jezusi. Nëse duam të ngadhënjejmë mbi të paudhin dhe të kemi paqe me Perëndinë, kjo duhet të ndodhë vetëm “duke i drejtuar sytë te Jezusi”.
Thjesht mbaji sytë të ngulur vetëm tek Ai; sill vazhdimisht në mendje vdekjen, vuajtjet, meritat, lavditë dhe ndërmjetësimin e Tij. Kur të zgjohesh në mëngjes, drejtoji sytë tek Ai; kur të biesh të flesh natën, hidhe vështrimin drejt Tij! Mos i lër shpresat dhe frikërat e tua të ngrihen mes teje dhe Jezusit; ndiqe Atë me këmbëngulje, dhe Ai nuk do të të lërë kurrë në baltë!
Në asgjë tjetër nuk shpresoj
Veç n’drejtësinë, gjakun e Tij:
Asnjë meritë s’guxoj t’besoj,
Plotësisht në Jezusin qëndroj.
© dritez.al 2024