spurgeon dev 28 qershor pm
Qershor 2023

Por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre.

Eksodi 7:12

Kjo ndodhi është një simbol mësimdhënës i fitores së sigurt të veprës së Perëndisë mbi çdo kundërshtim. Sa herë që një vepër hyjnore nis në zemër, megjithëse djalli mund të përpiqet ta falsifikojë apo të dërgojë një mizëri armiqsh kundër saj, mund të jemi të sigurt që Perëndia është duke vepruar, dhe do t’i përpijë të gjithë armiqtë e asaj vepre. Në qoftë se një njeri zotërohet nga hiri i Perëndisë, magjistarët e kësaj bote mund të mos lënë bastun pa hedhur, dhe secili prej tyre mund të jetë dhelparak e helmues porsi një gjarpër; mirëpo, bastuni i Aaronit do t’i përpijë të gjithë bastunët e tyre. 

Joshjet e ëmbla të kryqit do ta tërheqin dhe fitojnë zemrën e njeriut, kështu që edhe pse ai mund të ketë jetuar vetëm për këtë botë mashtruese, që këtej e tutje do ta ngulë vështrimin drejt sferave qiellore dhe mendja e tij do të përqendrohet në gjërat që janë lart. Me të dalë fitimtar hiri, jobesimtari nis të kërkojë botën që do të vijë. I njëjti fakt duhet dalluar edhe në jetën e besimtarit. Të shumtë ishin armiqtë që e sulmuan besimin tonë—mëkatet tona të vjetra; i paudhi i hodhi ato përpara nesh, dhe ato u kthyen në gjarpërinj. Sa të shumtë që ishin! Mirëpo, kryqi i Jezusit i shkatërron të gjithë ata. Besimi në Krishtin i bën të gjitha mëkatet tona të dështojnë me turp. 

Pastaj qoftëlargu ka lëshuar mbi ne një ushtri tjetër gjarpërinjsh në formën e sprovave dhe tundimeve të kësaj bote, si dhe të mosbesimit; por besimi në Jezusin është më shumë se i aftë që t’i mposhtë ato dhe ngadhënjen mbi të gjitha. I njëjti parim tërheqës shkëlqen në shërbimin besnik ndaj Perëndisë!

Me dashuri entuziaste për Jezusin kapërcehet çdo vështirësi; sakrificat kthehen në kënaqësi dhe vuajtjet në nderime. Mirëpo, nëse besimi digjet si një pasion kaq i zjarrtë në zemër, atëherë del se ka shumë njerëz që thonë se e kanë besimin, por realisht nuk e kanë; pasi ajo që kanë, nuk do t’i rezistojë kësaj sprove. Ka ardhur çasti, lexues i dashur, që ta shqyrtosh veten. Bastuni i Aaronit e dëshmoi në praktikë fuqinë e tij të dhënë prej qiellit. A e bën të njëjtën gjë edhe besimi yt? Në qoftë se Krishti është diçka, Ai duhet të bëhet gjithçka. Mos gjej prehje derisa dashuria për Jezusin dhe besimi në Të të jenë dy pasionet kryesore të shpirtit tënd!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin