Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën më ke bërë të shpresoj.
Psalmi 119:49
Cilado qoftë nevoja jote e veçantë, me siguri do të gjesh një premtim në Bibël, që i përshtatet asaj. A mos ndihesh vallë i dobët dhe i ligështuar për shkak të rrugës së vështirë dhe lodhjes që të ka kapluar? Ja ku e ke një premtim—“Ai i jep forcë të lodhurit” (Isaia 40:29). Me ta lexuar një premtim të tillë, paraqitja atë Premtuesit të madh dhe kërkoji Atij që ta përmbushë fjalën e Vet! A po e kërkon vallë Krishtin dhe a je i etur për një përbashkësi më të ngushtë me Të? Ky premtim ndriçon si ylli i agimit përmbi ty—“Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen” (Mateu 5:6). Paraqite atë premtim vazhdimisht përpara fronit; mos u lut për asgjë tjetër, por shko te Perëndia vazhdimisht me këto fjalë—“Zot, a nuk ke thënë kështu? Vepro siç ke thënë”!
A mos je vallë i shqetësuar për shkak të mëkatit dhe i rënduar nga barra e rëndë e paudhësive të tua? Dëgjoji, pra, këto fjalë—“Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetvetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua” (Isaia 43:25). Megjithëse nuk ke asnjë meritë tënden në bazë të së cilës t’i kërkosh Atij të të falë, paraqiti me përgjërim zotimet e Tij të shkruara dhe Ai do t’i mbajë ato! A mos ke frikë vallë se nuk do të jesh i aftë të qëndrosh i fortë deri në fund dhe se pasi ta kesh mbajtur veten për fëmijë të Perëndisë, të dalësh bir i humbjes? Nëse ndodhesh në të tillë gjendje, merre këtë fjalë hiri, çoje përpara fronit dhe shpalle atë: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje, as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet” (Isaia 54:10)!
Në qoftë se e ke humbur ndjesinë e bukur të pranisë së Shpëtimtarit dhe po e kërkon Atë me një zemër të pikëlluar, silli ndër mend këto premtime: “Kthehuni tek unë … dhe unë do të kthehem te ju” (Zakaria 1:3) dhe “Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh” (Isaia 54:7)! Gostite besimin tënd me Fjalën e Perëndisë, dhe cilatdo qofshin frikërat apo nevojat e tua, çoji te Banka e Besimit duke paraqitur dëftesën e Atit tënd, që thotë: “Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me ke bërë të shpresoj” (Psalmi 119:49)!
© dritez.al 2024