Prill 2023

Në fakt tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe.

Ezekieli 3:7

Nuk paska vallë ndonjë përjashtim? Jo, as edhe një. Madje edhe populli i zgjedhur i Perëndisë na u përshkruaka në këtë mënyrë. Nëse më të mirët janë kaq të këqij, atëherë si duhet të jenë vallë më të këqijtë? Eja, zemra ime, dhe shqyrto se deri në çfarë mase je pjesë e kësaj aktakuze universale; dhe teksa e këqyr atë, ji e gatshme ta mbash turpin për të cilin je fajtore!

Akuza e parë është paturpësia ose balli i fortë, një mungesë marreje për sa u përket gjërave të shenjta dhe një guxim i mallkuar për vepra të liga. Përpara kthimit në besim, mund të mëkatoja dhe të mos më brente fare ndërgjegjja; mund të dëgjoja në lidhje me mëkatin tim dhe prapëseprapë të qëndroja kryeneç, dhe madje, edhe të rrëfeja paudhësinë time pa ndier ndonjë poshtërim të brendshëm për shkak të saj. Kur një mëkatar shkon te shtëpia e Perëndisë dhe shtiret sikur kinse i lutet Zotit dhe e adhuron Atë, dëshmon një pafytyrësi të pacipë dhe të ndyrë, sa më nuk ka! Fatkeqësisht, edhe që nga dita pasi u rilinda, ka pasur çaste kur kam dyshuar në Zotin tim, kur kam murmuritur pa u skuqur në prani të Tij, kur e kam adhuruar Atë me gjysmë zemre dhe kur kam mëkatuar pa vajtuar për këtë shkak. Nëse balli im nuk do të ishte i fortë si diamanti dhe më i ngurtë se stralli, me siguri që do të kisha pasur më tepër frikë të shenjtë dhe një trishtim fryme shumë më të thellë. Mjerë unë, sepse i përkas shtëpisë kryeneçe të Izraelit!

Akuza e dytë është zemërkryeneçësia dhe në këtë pikë, as të mos guxoj të pretendoj se jam i pafajshëm. Dikur nuk kisha asgjë tjetër, veç një zemre guri dhe megjithëse, përmes hirit, tani kam një zemër të re prej mishi, shumë prej kryeneçësisë sime të dikurshme mbetet ende. Vdekja e Jezusit nuk më prek sa duhet; dhe as nuk trishtohem si duhet nga përhumbja e bashkëkohësve të mi, nga ligësia e kohërave, nga qortimet e Atit tim qiellor dhe nga vetë dështimet e mia. Oh, u trettë zemra ime nga rrëfimi i vuajtjeve dhe vdekjes së Shpëtimtarit tim! Dashtë Perëndia që ta heq qafe këtë barrë të tmerrshme përbrenda meje, këtë kurm të urryer vdekjeje!

Bekuar qoftë emri i Zotit, sëmundja nuk është e pashërueshme! Gjaku i çmuar i Shpëtimtarit është ilaçi universal [që nuk lë gjë pa zbutur e tretur], dhe në fund do të më zbutë mua, madje edhe mua, derisa zemra ime të shkrihet si dylli përpara zjarrit.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin