spurgeon dev 28 nëntor am
November 2023

Sepse u gëzova shumë kur erdhën vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën.

3 e Gjonit 3

E vërteta ishte në Gajin dhe Gaji ecte në të vërtetën. Fakti i parë është i lidhur me të dytin, sepse po të mos ishte njëri, nuk do të ishte as tjetri; në qoftë se fakti i dytë nuk do të kishte qenë i vërtetë, i pari do të kishte mbetur thjesht një iluzion. E vërteta nuk ka aspak vlerë po nuk hyri në zemër, po nuk depërtoi thellë brenda saj dhe po nuk e mbushi atë deri në grykë.

Doktrinat që shpallen vetëm me gojë, janë si buka që mbahet në duar, e cila nuk siguron ushqim për trupin; mirëpo, doktrina e pranuar në zemër është si ushqimi i ngrënë, i cili, me anë të përthithjes, e ushqen dhe e ndërton trupin.

Në ne, e vërteta duhet të jetë një forcë e gjallë, një energji vepruese, një realitet i brendshëm dhe pjesë e thelbit të qenies sonë. Nëse gjendet brenda nesh, nuk mund të shkëputemi dot prej saj.

Njeriu mund të humbasë rrobat apo gjymtyrët e tij, por organet e brendshme të trupit të tij janë jetike për të, sepse nuk mund t’i hiqen pa i shkaktuar humbjen absolute të jetës. Një i krishterë mund të vdesë, por nuk e mohon dot të vërtetën.

Ekziston një ligj i natyrës, sipas të cilit ana e brendshme ndikon të jashtmen, pra, ashtu siç ndriçon flaka përmes xhamave të fenerit, kështu ndodh edhe kur e vërteta ndizet brenda nesh, shkëlqimi i saj shfaqet shpejt në sjelljen dhe në të folurën tonë.

Thuhet se ushqimi që konsumojnë disa krimba, përcakton edhe ngjyrën e kukules së mëndafshit që ata endin: po kështu, edhe ushqimi me të cilin mbahet natyra e brendshme e njeriut, i jep ngjyrim çdo fjale dhe çdo vepre që del prej tij. 

Ecja në të vërtetën nënkupton një jetë të karakterizuar nga integriteti, shenjtëria, besnikëria dhe thjeshtësia—të cilat janë rezultati i natyrshëm i atyre parimeve të së vërtetës që na i mëson Ungjilli dhe që i përvetësojmë falë aftësimit nga Fryma e Perëndisë.

Të fshehtat e shpirtit mund t’i gjykojmë përmes shfaqjes së tyre në sjelljen e njeriut. O Frymë plot hir, bëj sot që të sundohemi dhe të drejtohemi nga autoriteti Yt hyjnor, me qëllim që asgjë e gënjeshtërt apo e mëkatshme të mos mbretërojë në zemrat tona dhe të mos e përhapë ndikimin e vet të lig në jetën tonë të përditshme në komunitet!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin