spurgeon dev 28 nëntor pm
November 2023

Ai kërkonte të mirën e popullit të tij.

Ester 10:3

Mardokeu ishte një atdhetar i vërtetë, dhe prandaj, kur u ngrit në pozitën më të lartë gjatë mbretërimit të Asueros, e shfrytëzoi prestigjin e tij për të mirën e mbrothësisë së Izraelit. Duke qenë i tillë, ai shërben si një simbol i Jezusit, i cili, nga froni i lavdisë, nuk kërkon të Vetat, por e përdor fuqinë për popullin e Tij. Do të ishte e dobishme sikur çdo i krishterë të ishte një Mardoke për kishën, duke u përpjekur me aq sa ka mundësi dhe aftësi për të mirën e saj. Disa janë vendosur në pozita të larta dhe u është dhënë kamje e madhe; ata bëjnë mirë ta nderojnë Zotin e tyre atje lart ku gjenden dhe të dëshmojnë për Jezusin përpara të mëdhenjve të dheut.

Disa të tjerë kanë një gjë edhe më të vyer, domethënë, përbashkësi të ngushtë me Mbretin e mbretërve. Le të kujdesen që të luten ditë për ditë për më të dobëtit mes njerëzve të Zotit, për dyshuesit, të tunduarit dhe të pangushëlluarit. Do të jetë për nderin e tyre nëse ndërmjetësojnë shumë për ata që dergjen në errësirë dhe që nuk guxojnë t’i afrohen fronit të hirit. Besimtarët e lëçitur mund t’i shërbejnë shumë Mësuesit të tyre nëse i ofrojnë dhuntitë për të mirën e përgjithshme dhe ua kalojnë të tjerëve pasurinë e njohurive të tyre qiellore, duke u mësuar atyre gjërat e Perëndisë.

Edhe më i vogli në kishat tona mund të kërkojë të mirën e popullit të Perëndisë; dhe një dëshirë e tillë, edhe sikur të jetë gjëja më e vogël që mund të bëjë, do të konsiderohet e pëlqyer. Është sjellja më e ngjashme me Krishtin dhe njëherazi, shtegu më i bekuar për një besimtar, kur ai pushon së jetuari për veten. Kush bekon të tjerët, nuk mund të mbetet pa u bekuar vetë. Nga ana tjetër, rendja pas madhështisë sonë personale është një plan jete jo vetëm i lig, por edhe i tillë që nuk na bën të lumtur; rrjedha e tij do të jetë e dhimbshme dhe fundi i tij fatal. 

Këtu është momenti për të të pyetur ty, miku im, nëse je duke kërkuar me gjithë fuqinë tënde më të mirën e kishës në lagjen tënde. Shpresoj se nuk je duke i prishur punë kishës me anë të ndonjë hidhësie apo skandali, dhe as duke e dobësuar atë përmes lënies pas dore. Mik, bashkohu me të vobektët e Zotit, mbaje kryqin e tyre, bëju atyre gjithë të mirat që mundesh, dhe nuk do ta humbasësh shpërblimin tënd.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin