…dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri.
Efesianëve 3:19
Dashuria e Krishtit e tejkalon gjithë njohjen njerëzore për sa i përket ëmbëlsisë, plotësisë, madhështisë dhe besnikërisë së saj. E ku mund t’i gjejmë vallë fjalët të cilat mund ta përshkruajnë dashurinë e Tij të pashoqe e të pakrahasueshme për bijtë e njerëzve? Është kaq e paanë dhe e pafund sa, ashtu si dallëndyshja që vetëm sa prek sipërfaqen e ujit, pa u zhytur në thellësitë e tij, edhe të gjitha fjalët përshkruese vetëm sa e prekin sipërfaqen, pa mundur t’i eksplorojnë dot thellësitë e pamatshme që gjenden poshtë saj. Ka të drejtë poeti kur thotë: “O dashuri, abis i pafund!”.
Sepse kjo dashuri e Krishtit është me të vërtetë e pamasë dhe e pafund! Në fakt, askush nuk arrin ta kuptojë atë plotësisht. Për të krijuar një ide të qartë të dashurisë së Jezusit, së pari, ne duhet të kuptojmë lavdinë e Tij të mëparshme në kulmin e madhështisë së Tij, dhe trupëzimin e Tij mbi tokë në të gjitha thellësitë e poshtërimit. Mirëpo, kush mund të na tregojë për madhështinë e Krishtit? Kur ishte i ulur në fronin e Tij mes qiejve më të lartë, Ai ishte Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, dhe me anë të Tij u bënë qiejt dhe gjithë ushtria e tyre. Krahu i Tij i fuqishëm mbante sferat e universit; Ai ishte i rrethuar nga adhurimi i vazhdueshëm i kerubimëve dhe serafimëve; gjithë kori i halelujave të universit rridhte pa ndërprerje nga këmbët e fronit të Tij. Ai mbretëronte në mënyrë supreme mbi gjithë krijesat e Tij dhe ishte Perëndi mbi të gjithë e gjithçka, përjetësisht i bekuar. Kush mund të flasë, pra, për lartësinë e lavdisë së Tij? Dhe, nga ana tjetër, kush mund të na tregojë se sa poshtë zbriti? Të qenët njeri ishte një gjë e madhe, por të qenët njeri i dhembjeve ishte shumë e shumë herë më tepër. Gjakosja, vdekja dhe vuajtja—këto ishin shumë për Atë që ishte Biri i Perëndisë; por vuajtja e një agonie kaq të pashoqe, përballimi i një vdekjeje të turpshme dhe i braktisjes nga Ati i Tij, e gjitha kjo është një thellësi dashurie vetëmohuese, saqë edhe mendja më e mprehtë nuk do të mund ta hulumtonte dot aspak. Kjo është dashuri, një dashuri që me të vërtetë “tejkalon çdo njohuri”.
Oh, i mbushtë kjo dashuri zemrat tona me mirënjohje plot adhurim dhe na bëftë që ta shfaqim praktikisht fuqinë e saj në jetën tonë!
© dritez.al 2024