Mars 2023

“Unë do të kënaqem me ju si me një parfum me erë të këndshme.”

Ezekieli 20:41

Meritat e Shpenguesit tonë të madh janë si një aromë e këndshme për Shumë të Lartin. Si drejtësia pasive e Krishtit, ashtu edhe ajo aktive, që të dyja përhapin të njëjtën aromë të mirë. Jeta e Tij aktive mbante një aromë të këndshme, përmes së cilës Ai e nderoi ligjin e Perëndisë dhe bëri që çdo urdhëresë të ndriçonte si një xhevahir i çmuar në sfondin e kulluar të personit të Vet. 

Po aq e këndshme ishte edhe bindja e Tij pasive, kur Ai, me përulje e pa bërë zë, duroi urinë dhe etjen, të ftohtin dhe të zhveshurin, dhe në fund, djersën që iu bë si pika të mëdha gjaku në kopshtin e Gjetsemanit. Ai lejoi që ta godisnin me kamxhik në kurriz dhe ua ktheu faqen atyre që i shkulën mjekrën, dhe pastaj u mbërthye në drurin mizor [të kryqit], që të vuante kështu pasojat e zemërimit të Perëndisë në vendin tonë. Këto dy gjëra janë të këndshme përpara Shumë të Lartit, sepse pranohemi nga Zoti Perëndia ynë falë veprave dhe vdekjes së Tij, në sajë të vuajtjeve të Tij zëvendësuese dhe bindjes së përjetuar prej Tij. 

Sa i paçmueshëm duhet të jetë Jezusi, përderisa arrin t’i japë vlerë hiçit që jemi ne! Sa e këndshme duhet të jetë aroma e Tij, përderisa arrin të largojë kutërbimin tonë të ndyrë! Sa fuqi të madhe pastruese duhet të ketë gjaku i Tij, përderisa arrin të heqë një mëkat të tillë si yni! Dhe sa lavdi ka në drejtësinë e Tij, përderisa na bën ne, krijesat e hedhura poshtë, të pranuara në Shumë të Dashurin!

Vër re, o besimtar, se sa i sigurt dhe i palëkundshëm është pranimi ynë, meqenëse është në Të! Ruaju se mos e dyshon ndonjëherë pranimin tënd nga Jezusi! Pa Krishtin, nuk mund të jesh kurrsesi i pranuar; por kur vishesh me meritën e Tij, as mos e mendo se mund të jesh i papranuar. Pavarësisht nga dyshimet, frikërat dhe mëkatet e tua, syri plot hir i Yahveh-ut nuk të vështron asnjëherë me zemërim. Megjithëse e dallon mëkatin në ty, brenda teje, Ai nuk gjen asnjë mëkat në ty kur të sheh përmes Krishtit. Ti je gjithnjë i pranuar nga Krishti, përngaherë i bekuar dhe i dashur për zemrën e Atit. Prandaj, merrja këngës, dhe tek e sheh tymin e temjanit të meritës së Shpëtimtarit, që sonte ngrihet lart përpara fronit prej safiri, lëre edhe ti temjanin e adhurimit tënd të ngjitet lart!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin