spurgeon dev 28 korrik am
July 2023

Unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë

Psalmi 73:22

Kujtoji vetes se ky është rrëfimi i njeriut të Perëndisë. Tek na rrëfen për jetën e tij të brendshme, ai shkruan: “Unë isha pa mend dhe pa kuptim.” Fjala “pa mend” përshkruan gjerësinë e marrëzisë së tij kryeneçe. Në një nga vargjet e mësipërme të psalmit, psalmisti shkruan: “Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë begatinë e njerëzve të këqij”, çka tregon se reagimi i tij pa mend përbënte mëkat. Ai e kritikon veten, sepse është “pa mend”, dhe duke vepruar kështu tregon intensitetin e ndjenjave të tij. Reagimi dhe qëndrimi i tij ishin të mëkatshëm. Ai nuk mund t’i përligjte ata, por e meritonte dënimin për shkak të mbrapshtisë dhe injorancës kryeneçe të tij. Ai i kishte pasur zili të paperëndishmit për mirëqenien e tyre të përkohshme, duke harruar se ç’fund i frikshëm i priste ata.

Po ne, a jemi vallë më të urtë se Davidi, që e mbajmë veten për të urtë? A pretendojmë vallë se kemi arritur përsosjen, apo se jemi disiplinuar deri në atë pikë sa kokëfortësia jonë të jetë hequr qafe plotësisht? Këtë nuk mund ta quash tjetërsoj, përveçse krenari! Në qoftë se psalmisti ishte i pamend, sa të pamend i bie të jemi ne kur nuk arrijmë ta shohim veten njëlloj!

Besimtar, hidhe vështrimin pas: sill ndër mend ato çaste kur dyshove në Perëndinë, edhe pse Ai ishte përherë kaq besnik ndaj teje; sill pak ndër mend thirrjen tënde të pamend: “Jo kështu, Ati im”, ndërsa Ai i kryqëzonte duart në vuajtje për të të dhënë bekimin më të madh; sill ndër mend rastet e shumta kur i ke lexuar keq sigurimet e Tij, kur i ke keqinterpretuar mënyrat se si të ka trajtuar dhe ke rënkuar: “E tërë kjo rëndon mbi mua”, megjithëse ato po bashkëvepronin për të mirën tënde! Sill ndër mend se sa shpesh ke zgjedhur mëkatin për shkak të kënaqësisë që të ofronte, kur, në fakt, ajo kënaqësi ishte si një rrënjë e hidhur për ty!

Me siguri, nëse e njohim mirë zemrën tonë, duhet ta shpallim veten fajtorë në lidhje me akuzën e marrëzisë së mëkatshme, dhe duke qenë të vetëdijshëm për këtë “marrëzi”, duhet të mësojmë të themi bashkë me psalmistin: “Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin