January 2023

Të përsosur në Krishtin Jezus.

Kolosianëve 1:28

A nuk e ndien në vetë shpirtin tënd se je ende shumë larg përsosmërisë? A nuk ta mëson jeta e përditshme një gjë të tillë? Çdo lot që rrjedh prej syrit tënd, qan “papërsosmëri”; çdo fjalë e vrazhdë, që del prej buzëve të tua, shqipton “papërsosmëri”. E ke qëmtuar aq shpesh zemrën tënde, saqë e di se as edhe për një çast nuk mund të ëndërrosh për ndonjë farë përsosmërie në veten tënde. Mirëpo, pikërisht në mes të këtij ndërgjegjësimi trishtues, për mungesën e përsosmërisë, vjen ngushëllimi—ti je i përkryer apo “i përsosur në Krishtin Jezus”. Në sytë e Perëndisë, ti je i plotë në Të; madje që tani je bërë i pëlqyer “në të dashurin, Birin e tij” (Efesianëve 1:6). 

Mirëpo, ekziston një përsosmëri tjetër, që mbetet ende për t’u përmbushur, e cila është po aq e sigurt. A nuk është kënaqësi të presim me padurim kohën kur çdo njollë mëkati do të hiqet nga besimtari dhe kur ai do të paraqitet i patëmetë përpara fronit, pa njolla a rrudha e të tjera si këto? Atëherë Kisha e Krishtit do të jetë kaq e pastër, saqë as syri i të Gjithëdijshmit nuk do të mund të gjejë një njollë a të metë tek ajo. Do të jetë kaq e shenjtë dhe e lavdishme, saqë Hart-i [Joseph Hart] nuk e ekzagjeroi aspak kur tha:

Petkat e Shpëtimtarit tim veshur kam,
I shenjtë si vetë I Shenjti jam.

Atëherë ne do të njohim, shijojmë dhe ndiejmë lumturinë që përmban në vetvete një frazë sa të shkurtër aq edhe të pamasë: “Të plotë në Krishtin.” Vetëm atëherë do t’i kuptojmë plotësisht lartësitë dhe thellësitë e shpëtimit në Jezusin. 

A nuk të drithërohet zemra nga gëzimi tek mendon për një gjë të tillë? Ndonëse tani je i ndotur, do të pastrohesh. Oh, sa i mrekullueshëm është ky shpëtim! Krishti e merr një krimb dhe e shndërron atë në një engjëll; Krishti e merr një send të ndotur e të shformuar dhe e bën të shkëlqejë nga pastërtia dhe të jetë i pakrahasueshëm në lavdinë e Tij, i pashoq në bukurinë e Tij dhe i denjë të rrethohet nga serafimët. O shpirti im, ngrihu dhe admiroje këtë të vërtetë të bekuar të përsosmërisë në Krishtin!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>