January 2023

Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha ç’kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.

Luka 2:20

Kujt po i thurnin lavde barinjtë? Ata e lavdëruan Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar—pra, për sihariqin shumë të gëzueshëm të lindjes së Shpëtimtarit. Le ta ndjekim shembullin e tyre; le t’ia marrim një kënge falënderimi, sepse kemi dëgjuar për Jezusin dhe shpëtimin e Tij. 

Ata gjithashtu e përlëvduan Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin parë. Nuk ka muzikë më të bukur—sesa gjërat që kemi përjetuar, që kemi ndier përbrenda dhe që i kemi bërë tonat. Nuk mjafton të dëgjosh për Jezusin, sepse dëgjimi thjesht mund ta akordojë harpën, por për të bërë muzikë nevojiten gishtat e besimit të gjallë. Nëse e ke parë Jezusin me sytë e besimit të falur nga Perëndia, mos i lër telat e harpës të zënë pezhishka, por përlëvdoje hirin sovran me të madhe, zgjoje psalterin dhe harpën tënde. 

Një arsye se përse e falënderuan Perëndinë ishte përputhja mes asaj që kishin dëgjuar dhe asaj që kishin parë. Vëreni fjalinë e fundit—“ashtu si u ishte thënë atyre”. A nuk të është dukur Ungjilli brenda teje ashtu siç përshkruhet në Bibël? Jezusi tha se do të të jepte prehje—a nuk e ke përjetuar paqen më të ëmbël tek Ai? 

Ai tha se, duke besuar tek Ai, do të kishe gëzim, ngushëllim dhe jetë—a nuk i ke marrë të gjitha këto vallë? A nuk janë udhët e Tij udhë kënaqësie dhe shtigjet e tij shtigje paqeje? Me siguri, edhe ti mund të thuash si mbretëresha e Shebës: “...as gjysmën e tyre nuk më kishin thënë” (1 i Mbretërve 10:7). 

Krishti më është dukur më i bukur, sesa të gjitha përshkrimet e shërbëtorëve të Tij të marra së bashku. E pashë shëmbëlltyrën e Tij tek e pikturonin, por ishte thjesht një shkarravinë në krahasim me Vetë Atë; sepse Mbreti, në bukurinë e Tij, shkëlqen më fort sesa çdo përfytyrim imi për hijeshinë. Pa dyshim, ajo që kemi “parë” është e njëjtë, në fakt, jo, ajo e tejkalon së tepërmi atë që kemi “dëgjuar”. Prandaj, le ta përlëvdojmë dhe adhurojmë Perëndinë për një Shpëtimtar kaq të shtrenjtë, i cili na fal kënaqësi kaq të mëdha!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>