“Vaj për dritën e shandanit.”
Eksodi 25:6
Shpirti im, sa shumë të nevojitet ky vaj i shenjtë, sepse llamba jote shpejt do të shuhej nëse ai do të mbaronte! Fitili yt do të nxirrte tym dhe do të kthehej në një skandal po qe se nuk do të bënte më dritë, dhe sigurisht që do të fikej nëse do të të sosej vaji. Ti nuk ke një burim të vazhdueshëm vaji në natyrën tënde njerëzore, prandaj duhet të shkosh tek ata që merren me tregtinë e tij, dhe të blesh për vete, ose përndryshe, si ato virgjëreshat budallaqe, do të të duhet të klithësh: “Më është fikur llamba!”. Madje edhe llambat e shenjtëruara nuk bënin dot dritë pa vaj; edhe pse ndriçonin në tabernakull, ato kishin nevojë të mbusheshin; ndonëse mbi to nuk frynin erëra të forta, fitilat e tyre duheshin shkurtuar, dhe porsi llambat, edhe ty të nevojitet po aq shumë një shërbim i tillë. Edhe në rastin më të mirë, ti nuk mund të bësh dritë qoftë edhe për një orë tjetër po qe se nuk mbushesh me vajin e freskët të hirit.
Jo çdo lloj vaji mund të përdorej në shërbim të Zotit; as nafta që gurgullon me kaq bollëk nga toka, as vaji i peshqve dhe as vaji i nxjerrë nga arroret nuk do të pranohej; vetëm një vaj u përzgjodh, dhe ai ishte vaji më i mirë i ullirit. Hiri i pretenduar nga mirësia e natyrës njerëzore, hiri i fantazuar nga duart e priftërinjve ose hiri i imagjinuar nga ritet fetare nuk do t’i shërbejë kurrë fëmijës së vërtetë të Perëndisë; ai e di se Zoti nuk do të kënaqet as me lumenj vaji të tillë. Ai shkon te punishtja e vajit të Gjetsemanit dhe i nxjerr nozullimet e veta nga Ai që u shtyp në të. Vaji i hirit të ungjillit është i pastër dhe pa fundërri e llum, dhe si rrjedhojë, drita e prodhuar prej tij është e qartë dhe e ndritshme. Kishat tona janë shandanët e artë të Shpëtimtarit, dhe në mënyrë që të jenë drita në këtë botë të errët, duhet të jenë të mbushura deri në grykë me vaj të shenjtë. Le të lutemi për veten, për shërbesëtarët dhe kishat tona, që të mos u mungojë kurrë vaji për të bërë dritë. E vërteta, shenjtëria, gëzimi, njohuria, dashuria—të gjitha këto janë rrezet e dritës së shenjtë; mirëpo, ato nuk mund t’i përhapim dot në errësirë po qe se në kthinën tonë të fshehtë nuk marrim vaj nga Perëndia Frymë e Shenjtë.
© dritez.al 2024