dhjetor 28

Dhjetor 2022


Shpresa jonë përfundimtare është soditja e lavdisë së Perëndisë. “Mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë” (Romakëve 5:2). Perëndia do të të “vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim para lavdisë së tij” (Juda 24)

Ai do të “bëjë të njohur pasurinë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi” (Romakëve 9:23). Ai na “thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 e Thesalonikasve 2:12). “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht” (Titi 2:13).

Në gjithë personin dhe veprën e Tij, Jezusi është mishërimi dhe zbulesa përfundimtare e lavdisë së Perëndisë. “Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij” (Hebrenjve 1:3). Te Gjoni 17:24, Jezusi u lut: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time.”

“U bëj thirrje pleqve midis jush, unë bashkëplak dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit edhe pjesëmarrës i lavdisë që ka për t’u zbuluar” (1 e Pjetrit 5:1). “Me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Romakëve 8:21).

“Por flasim urtësinë e Perëndisë në mister; urtësinë e fshehur të cilën Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë” (1 e Korintasve 2:7). “Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon për ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë” (2 e Korintasve 4:17). “Ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi” (Romakëve 8:30).

Soditja dhe pjesëmarrja në lavdinë e Perëndisë është shpresa jonë përfundimtare nëpërmjet ungjillit të Krishtit.

Një shpresë e tillë, e cila njihet dhe çmohet me të vërtetë, ka një efekt të madh dhe përcaktues mbi vlerat, zgjedhjet dhe veprimet tona të tanishme.

Njih lavdinë e Perëndisë. Studioje lavdinë e Perëndisë dhe lavdinë e Krishtit. Studioje lavdinë e botës së krijuar që zbulon lavdinë e Perëndisë, dhe lavdinë e ungjillit që zbulon lavdinë e Krishtit.

Çmoje lavdinë e Perëndisë në gjithçka dhe mbi gjithçka.

Studio shpirtin tënd. Dallo se cila është lavdia që të josh, dhe mëso pse ti çmon ato lavdi, që nuk janë lavdia e Perëndisë.

Studio shpirtin tënd për të ditur se si t’i bësh lavditë e botës të shemben, ashtu si idhulli pagan i Dagonit te 1 i Samuelit 5:4. Le të bëhen copë e thërrime në dyshemenë e tempujve të botës të gjitha lavditë që të shpërqendrojnë nga lavdia e Perëndisë. Çmoje lavdinë e Perëndisë mbi gjithë këtë botë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
27 dhjetor – Cili është synimi yt?