Kjo fjalë është e besueshme…
2 e Timoteut 2:11
Nëpër letra gjenden katër thënie “të besueshme” të Palit.
Të parën e ndeshim te 1 e Timoteut 1:15: “Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.”
Tjetrën e hasim te 1 e Timoteut 4:8-9: “...perëndishmëria është e dobishme për gjithçka, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë. Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht.”
Të tretën e ndeshim te 2 e Timoteut 2:11: “Kjo fjalë është e besueshme, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë.”
Të katërtën e ndeshim te Titi 3:8: “Kjo fjalë është e besueshme, dhe dua që ti t’i pohosh me forcë këto gjëra, që ata, që kanë besuar në Perëndinë, të kujdesen për të kryer vepra të mira.”
Mund të dallojmë një lidhje mes këtyre thënieve besnike. E para hedh themelin e shpëtimit tonë të përjetshëm në hirin e dhënë falas nga Perëndia, siç na zbulohet në misionin e Shpengimtarit tonë të madh. Tjetra shpall bekimin e dyfishtë që sigurojmë falë këtij shpëtimi—bekimin e kohës dhe përjetësisë. E treta tregon natyrën e jetës në të cilën janë thirrur të zgjedhurit; jemi caktuar që të vdesim me Krishtin, duke pasur premtimin që “nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë”. E fundit nxjerr në pah formën vepruese të shërbimit të krishterë, duke na urdhëruar që të kujdesemi me zell për të kryer vepra të mira.
Kështu, ne e kemi rrënjën e shpëtimit në hirin falas, pastaj privilegjet e atij shpëtimi në jetën e tanishme dhe në atë që do të vijë; dhe po ashtu, dy degët e mëdha të vdekjes me Krishtin dhe të jetuarit me Krishtin, të cilat janë të ngarkuara me frytin e Frymës.
Ruaji porsi një thesar këto thënie besnike! U bëfshin ato udhërrëfyeset e jetës, ngushëllimit dhe mësimnxënies sate! Apostulli i johebrenjve dëshmoi me jetën e vet se ato ishin të besueshme, dhe ato mbeten të besueshme; asnjë prej tyre nuk do të shkojë kot. Ato janë të denja për t’u pranuar plotësisht; le t’i pranojmë menjëherë dhe të dëshmojmë besueshmërinë e tyre.
Qofshin të shkruara këto katër thënie të besueshme në të katër qoshet e shtëpisë sime!
© dritez.al 2024