Jemi të gjithë si një gjë e papastër.
Isaia 64:6
Besimtari është një krijesë e re; ai i përket një brezi të shenjtë dhe një populli të veçantë. Fryma e Perëndisë është në të, dhe çdo pjesë e tij qëndron shumë vite drite larg njeriut të vjetër. Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre, i krishteri mbetet një mëkatar. Ai është i tillë për shkak të papërsosmërisë së natyrës së vet, dhe do të vazhdojë të jetë i tillë deri në ditën e fundit të jetës së tij mbi dhe. Gishtat e pistë të mëkatit lënë gjurmë edhe mbi rrobat tona më të pastra. Mëkati na e shformon pendimin, përpara se Poçari i madh ta ketë mbaruar atë mbi çark. Egoizmi na i ndot lotët dhe mosbesimi na e turbullon besimin.
Pa llogaritur meritën e veprës së Jezusit, edhe gjërat më të mira që kemi bërë ndonjëherë, thjesht e rritin numrin e mëkateve tona; sepse edhe atëherë kur na është dukur vetja si më të dëlirët në sytë tanë, prapëseprapë, ashtu si qiejt, nuk kemi qenë të dëlirë në sytë e Perëndisë. Në fakt, ashtu sikurse i gjykoi engjëjt e Tij për marrëzi, ashtu duhet të na gjykojë edhe ne për marrëzinë tonë, madje edhe atëherë kur ndihemi sikur jemi në gjendjen tonë më të mirë frymërore. Kënga që përpiqet t’u ngjasojë melodive të engjëjve, nuk u shpëton dot stonimeve njerëzore. Lutja që lëviz krahun e Perëndisë, është, prapëseprapë, një lutje e këputur edhe e copëtuar, dhe e lëviz atë krah vetëm e vetëm sepse i Pamëkatshmi, Ndërmjetësuesi i madh, Jezusi, ka ndërhyrë për ta hequr tej mëkatin e përgjërimit tonë. Besimi më i kulluar ose shenjtërimi më i dëlirë që mund të arrijë ndonjëherë një i krishterë këtu mbi tokë, prapëseprapë ka kaq shumë skorje brenda tij, saqë vlen vetëm për t’u hedhur në zjarr.
Çdo natë, kur e shohim veten në pasqyrë, shquajmë në të një mëkatar të gjorë, ndaj duhet të rrëfejmë: “Jemi të gjithë si një gjë e papastër dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobë e ndotur.” Oh, sa i çmuar është, pra, gjaku i Krishtit që pastron zemra si këto tonat! Sa dhuratë e vyer është drejtësia e Tij e përkryer! Dhe sa e ndritshme është shpresa e shenjtërisë së përsosur që do të kemi në qiell! Fuqia e mëkatit është thyer që tani, edhe pse ai vazhdon të banojë në ne. Ai mbetet në ne, por nuk ka më sundim mbi ne; jemi në luftë të ashpër me mëkatin, ama po ndeshemi me një armik tashmë të mundur. Nuk do të kalojë shumë edhe do të hyjmë fitimtarë në qytetin ku nuk futet asgjë e papastër.
© dritez.al 2024