“Ti je i lumtur, o Izrael! Kush është i barabartë me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti?”
Ligji i Përtërirë 33:29
Ai që shpall se krishterimi ua nxin jetën njerëzve, vetë as që e njeh fare këtë besim. Do të ishte vërtet e çuditshme nëse krishterimi do të na e nxinte jetën; pa shih pak se në çfarë pozite na ngre!
Na bën bij të Perëndisë. A mendon vallë se Perëndia do t’ia falë gjithë lumturinë armiqve të Tij dhe do ta ruajë gjithë pikëllimin për familjen e Vet? A do të jetojnë vallë armiqtë e Perëndisë me qeshje e hare, ndërsa fëmijët e Tij do të trashëgojnë pikëllim e mjerim? A do të ndodhë vallë që mëkatari, i cili nuk ka asnjë pjesë në Krishtin, ta quajë veten të pasur me lumturi, ndërsa ne të mbetemi duke vajtuar sikur të ishim lypës skamnorë? Jo; ne do të ngazëllehemi përherë në Zotin dhe do të mburremi me trashëgiminë tonë, sepse [na thuhet]: “...nuk keni marrë një frymë skllavërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Aba, o Atë!’” (Romakëve 8:15). Purteka e ndreqjes duhet të bjerë mbi ne kur dhe sa të jetë e nevojshme, por ajo prodhon në ne frytet përdëllyese të drejtësisë; dhe për rrjedhojë, me ndihmën e Ngushëlluesit hyjnor, ne, një “popull i shpëtuar nga ZOTI”, do të ngazëllehemi në Perëndinë e shpëtimit tonë.
Ne jemi martuar me Krishtin; atëherë, a të lejojë Dhëndri ynë i madh që bashkëshortja e tij të mbetet në pikëllim të vazhdueshëm? Zemrat tona janë të lidhura fort me Të: jemi gjymtyrët e Tij, dhe megjithëse për një farë kohe mund të vuajmë, ashtu siç vuajti dikur Kreu ynë, prapëseprapë, madje edhe tani, ne jemi të bekuar me bekime qiellore në Të.
Në ngushëllimet e Frymës, të cilat nuk janë as të pakta e as të vogla, kemi premtimin e trashëgimisë sonë. Duke qenë trashëgimtarë të gëzimit për jetë e mot, jemi duke parashijuar zotërimin tonë. Ja ku duken rrezet e dritës së gëzimit që paralajmërojnë agimin tonë të amshuar. Pasuritë tona gjenden përtej detit; qyteti ynë me themele të forta gjendet në bregun tjetër të lumit; rrezet e lavdisë nga bota frymërore i ngrohin zemrat tona dhe na nxisin të ecim përpara.
Prandaj, me të vërtetë thuhet për ne: “Ti je i lumtur, o Izrael! Kush është i barabartë me ty, o popull i shpëtuar nga ZOTI?”.
© dritez.al 2024