I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës dhe të përbrendshmet e mia u ngashëryen për të.
Kënga e Këngëve 5:4
Trokitja nuk mjaftonte, sepse zemra ime ishte shumë e përgjumur, madje ishte aq e ftohtë dhe mosmirënjohëse, saqë nuk ngrihej dot për ta hapur derën; mirëpo, prekja e hirit të Tij të efektshëm e ka zgjuar shpirtin tim. Oh, sa shumë durim tregoi I Dashuri im kur priti përpara portës, megjithëse ajo ishte e mbyllur dhe mua më kishte zënë gjumi në shtratin e përtacisë! Oh, sa i madh është durimi i Tij, sepse i ra portës me ngulm dhe ua shtoi zërin e Vet trokitjeve, duke m’u lutur që t’ia hapja derën! Si mund ta kisha refuzuar Atë vallë?! Zemra ime është e poshtër; unë skuqem dhe pa justifikim!
Mirëpo, mirësia më e madhe e të gjithave është kjo, që Ai Vetë bëhet derëtar dhe e shkyç Vetë portën time. Bekuar qoftë dora që denjon të heqë shulin dhe të rrotullojë çelësin! Tashmë e kuptoj se asgjë tjetër veç fuqisë së vetë Zotit nuk është në gjendje ta shpëtojë një masë të tillë të mbrapshtë ligësie si puna ime. Nuk ka mjet hiri që të më bëjë fajde, madje as Ungjilli nuk ka efekt mbi mua, po nuk u shtri dora e Tij. Po ashtu, tani e kuptoj se e Tija dorë është e mbarë aty ku dështon gjithçka tjetër; Ai mund të hapë derën që askush tjetër nuk e hap dot. Bekuar qoftë emri i Tij, e ndiej praninë e Tij plot hir madje edhe tani! Prandaj, u ngashërefshin të përbrendshmet e mia kur mendoj për gjithçka që i është dashur të vuajë për mua, si edhe për përgjigjen time mosmirënjohëse ndaj Tij!
I kam lënë ndjenjat e mia të harxhohen kot. Në zemrën time u kam lënë vend rivalëve të Tij. E kam lënduar Atë. Më i ëmbli dhe më i shtrenjti i të gjithë të dashurve, të kam trajtuar ashtu si një bashkëshorte e pabesë trajton bashkëshortin e saj! Oh, sa mizore janë mëkatet e mia, sa i pashpirt jam! Çfarë mund të bëj? Lotët e mi janë si lot prej krokodili dhe pendimi im nuk është i vërtetë; zemra më vlon nga zemërimi kundër vetvetes. Unë jam një mjeran që e trajtoj Zotin tim, të Gjithin tim në gjithçka, gëzimin tim më të pamasë, sikur Ai të ishte një i huaj. Jezus, Ti fal bujarisht, por kjo nuk mjafton; pengoje pabesinë time në të ardhmen! Largoji këto lot me puthjen Tënde, dhe pastaj pastroje zemrën time dhe lidhe atë me litarë të shtatëfishtë pas Vetes, me qëllim që kurrë më të mos endem larg Teje!
© dritez.al 2024