Shtator_27

Shtator 2022


Një element thelbësor i gëzimit është liria. Asnjëri prej nesh nuk do të ishte i lumtur, nëse nuk do të ishim të lirë nga ajo që urrejmë, dhe të lirë për atë që duam.

Ku e gjejmë këtë liri të vërtetë? Psalmi 119:45 thotë: “Do të eci në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.”

Tabloja që na jepet këtu, është ajo e një hapësire pa pengesa. Fjala na çliron nga një mendje e ngushtë. “Perëndia i dha Salomonit... një mendje të hollë si rëra që është në bregun e detit” (1 i Mbretërve 4:29). Fjala na çliron nga kufizimet kërcënuese. “Më nxori në vend të hapur” (Psalmi 18:20, përkthimi Së Bashku).

Jezusi tha: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:32). Liria që ai ka në mendje është liri nga skllavëria e mëkatit (Gjoni 8:34). Ose, po ta konsiderojmë në aspektin pozitiv, është liri për shenjtëri.

Premtimet e hirit të Perëndisë sigurojnë fuqinë që i bën kërkesat e shenjtërisë së Perëndisë një përjetim lirie, në vend të një përjetimi kufizimi dhe frike. Pjetri e përshkroi fuqinë çliruese të premtimeve të Perëndisë kështu: “Me anë të të cilave na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, pasi u arratisët nga prishja që është në botë për shkak të epshit” (2 e Pjetrit 1:4).

Me fjalë të tjera, kur u besojmë premtimeve të Perëndisë, e shkulim rrënjën e dëshirës së prishur dhe mëkatare me fuqinë e një premtimi më të lartë.

Sa jetike është fjala që e thyen fuqinë e kënaqësive imituese! Sa vigjilentë duhet të jemi që ta ndriçojmë shtegun tonë dhe ta mbushim zemrën me fjalën e Perëndisë!

“Fjala jote është një llambë në këmbën time” (Psalmi 119:105). “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia