Duke qenë se ke thënë: “O ZOT, ti je streha ime” dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde…
Psalmi 91:9
Në shkretëtirë, izraelitët ekspozoheshin vazhdimisht ndaj ndryshimeve. Çadrat ngriheshin, sa herë që kolona e reve ndalej; por të nesërmen, me të dalë dielli i mëngjesit, binte trumbeta dhe arka vihej në lëvizje, ndërsa kolona e reve apo e zjarrit [kur binte nata] i udhëhiqte ata përmes grykave të ngushta mes maleve, apo lart faqeve të kodrave, apo nëpër humbëtirat e thata të shkretëtirave. Ata thuajse nuk kishin pasur kohë as të pushonin pak, para se të dëgjonin tingullin që dukej sikur u thoshte: “Përpara! Ky nuk është vendi juaj i prehjes; ju duhet të vazhdoni udhëtimin përpara, drejt Kanaanit!”. Asnjëherë nuk qëndronin gjatë në një vend, madje as puset dhe as palmat nuk mund t’i ndalonin ata.
Ata kishin një vendbanim të përhershëm në Perëndinë e tyre; kolona e Tij e reve ishte çatia e tyre, ndërsa kolona e zjarrit gjatë natës ishte vatra e tyre. Ata duhej të shkonin përpara nga vendi në vend, duke lëvizur vazhdimisht dhe pa pasur kurrë kohë, që të vendoseshin në një vend ose që të thoshin: “Tani jemi të sigurt; ne do të qëndrojmë në këtë vend.” Moisiu thotë: “Megjithëse jemi vazhdimisht në lëvizje, o Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi” Psalmi 90:1.
Asnjë ndryshim nuk e prek lidhjen e të krishterit me Perëndinë. Ai mund të jetë sot i pasur e nesër i varfër; ai mund të jetë sot i sëmurë e nesër shëndoshë e mirë; ai mund të jetë i lumtur sot dhe i trishtuar nesër—por asgjë nuk ndryshon për sa i takon marrëdhënies së tij me Perëndinë. Në qoftë se Ai më donte dje, Ai më do edhe sot.
Zoti im i bekuar është vila ime e pamposhtur e prehjes. Madje, edhe kur pritshmëritë janë të pakta, shpresat të venitura dhe gëzimi po mpaket, prapëseprapë nuk kam humbur asgjë nga zotërimet e mia në Perëndinë. Ai është “streha ime” tek e cila kthehem vazhdimisht. Jam një shtegtar në botë, por ndihem si në shtëpi në Perëndinë tim. Në tokë endem, por në Perëndinë banoj në një strehë të qetë.
© dritez.al 2024