“…origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.”
Mikea 5:2
Zoti Jezus kishte plane për popullin e Tij, si përfaqësuesi i tyre përpara fronit të Perëndisë, shumë kohë më parë sesa ata të dilnin në skenën e historisë. Qysh “nga kohërat e lashta”, Ai nënshkroi kontratën me Atin e Tij, sipas së cilës, Ai do ta paguante gjakun me gjak, vuajtjen me vuajtje, agoninë me agoni dhe vdekjen me vdekje në emër të njerëzve të Tij. Qysh nga “ditët e përjetësisë”, Ai e dha Veten pa asnjë ankesë.
Ai djersiti pika të mëdha gjaku, nga kurora e kokës së Tij deri te shputat e këmbëve; Ai u pështy, u tejshpua, u tall, u capërlua dhe u shtyp nën dhimbjet e vdekjes. E gjitha kjo e kishte origjinën nga “kohërat e lashta”. Le të ndalen dhe mahniten shpirtrat tanë me qëllimet e Perëndisë që nga kohërat e lashta! Dashuria e Krishtit për ty nuk zë fill me lindjen tënde në këtë botë, por Ai gjente kënaqësi në bijtë e njerëzve shumë kohë përpara se të kishte bij njerëzish! Ai mendonte shpesh për ta, sepse Ai e kishte vënë dashurinë e Tij mbi ta që nga përjetësia në përjetësi.
Duke qenë se e ka dashur me kaq zjarr shpëtimin tënd që nga kohërat e lashta, a nuk do ta përmbushë atë Ai vallë? Duke qenë se Ai ka dalë që nga përjetësia për të më shpëtuar, si do të më humbka tani vallë? Është e paimagjinueshme që pasi më ka mbajtur në duar si gurin e Tij të çmuar, të më lërë tani që t’i shpëtoj nga duart. A nuk më zgjodhi përpara se të krijoheshin malet dhe të gërmoheshin honet e oqeanit, dhe do të më hedhka poshtë Ai tani? Kjo është e pamundur! Unë jam i sigurt se Ai nuk do të më kishte dashur për kaq gjatë, po të mos kishte qenë një I Dashur besnik. Nëse vërtet mund të lodhej me mua, Ai do të ishte lodhur shumë kohë më parë. Nëse nuk do të më kishte dashur me një dashuri aq të thellë sa ferri dhe aq të fortë sa vdekja, Ai do të m’i kishte kthyer krahët shumë kohë më parë. Oh, ç’gëzim mbi gjithë gëzimet të di që jam trashëgimia e Tij e amshuar dhe e patjetërsueshme, e cila i është dhënë Atij nga Ati i Tij përpara se të themelohej bota! Dashuria e amshuar do të jetë jastëku mbi të cilin do ta mbështes kokën sonte.
© dritez.al 2024