27 shkurt

Shkurt 2022


Nga rreziku i tij i vazhdueshëm, nga përballja e tij e përditshme me vdekjen, nga përleshja e tij me bishat e egra, Pali del në përfundimin se jeta që ai ka zgjedhur për të ndjekur Jezusin është marrëzi dhe për të ardhur keq, nëse ai nuk do të ringjallet prej së vdekurish.

Nëse vdekja do të ishte fundi i gjithçkaje, thotë ai: “le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim” (1 e Korintasve 15:32). Kjo nuk do të thotë: Le të bëhemi të gjithë grykës dhe pijanecë, nëse nuk ka ringjallje. Pijanecët janë për të ardhur keq—me apo pa ringjallje. Pali do të thotë se, nëse nuk ka ringjallje, ajo që ka kuptim është maturia e shtresës së mesme të shoqërisë për t’i maksimizuar kënaqësitë tokësore.

Gjithsesi, kjo nuk është ajo që Pali zgjodhi. Ai zgjodhi vuajtjen, për shkak se zgjodhi bindjen. Anania erdhi te Pali pasi ai u përball me Krishtin rrugës për në Damask dhe i përcolli fjalët e Zotit Jezus: “Sepse unë do t’i tregoj atij se sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim” (Veprat 9:16). Pali e pranon vuajtjen e tij si pjesë të thirrjes së tij.

Si mund ta bënte Pali këtë? Cili ishte burimi i bindjes së tij radikale dhe të dhimbshme? Përgjigjja jepet te 1 e Korintasve 15:20: “Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe u bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur.” E thënë ndryshe, Krishti ishte ringjallur dhe unë do të ringjallem bashkë me Të. Prandaj, asnjë vuajtje për Jezusin nuk është e kotë (1 e Korintasve 15:58).

Shpresa e ringjalljes e ndryshoi rrënjësisht stilin e jetës së Palit. Ajo e çliroi nga materializmi dhe konsumerizmi (konsumizmi). I dha atij fuqinë që të vazhdonte pa rehatitë dhe kënaqësitë që shumë njerëz ndiejnë se duhet t’i kenë në jetën e tyre. Për shembull, edhe pse ai kishte të drejtë të martohej (1 e Korintasve 9:5), ai e refuzoi atë kënaqësi për shkak se ishte thirrur për të duruar aq shumë vuajtje.

Kjo është mënyra se si Jezusi tha që shpresa e ringjalljes duhet ta ndryshojë sjelljen tonë. Për shembull, ai na tha të ftojmë në shtëpitë tona njerëz që nuk mund ta në e shpërblejnë dot në këtë jetë. Si duhet të motivohemi që ta bëjmë këtë? “Por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve” (Luka 14:14).

Kjo është një thirrje radikale që ta hetojmë thellë jetën tonë të tanishme për të parë nëse ajo është e formuar nga shpresa e ringjalljes. A marrim ne vendime mbi bazën e fitimit në këtë botë, apo mbi bazën e fitimit në botën tjetër? A ndërmarrim rreziqe për hir të dashurisë, të cilat mund të shpjegohen si të mençura vetëm nëse ka një ringjallje?

Perëndia na ndihmoftë që ta përkushtojmë sërish veten tonë që gjatë gjithë jetës ta lejojmë ringjalljen të ketë efektet e saj radikale në ne.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia