spurgeon dev 27 qershor pm
Qershor 2023

Gjithsecili le të qëndrojë në atë thirrje në të cilën u thirr.

1 e Korintasve 7:20

Disa njerëz ushqejnë mendimin e gabuar se e vetmja mënyrë në të cilën mund të jetojnë për Zotin e tyre, është të bëhen pastorë, misionarë ose mësues Bible. Sa shumë të krishterë do të përjashtoheshin nga mundësia për të qenë frymërisht të dobishëm nëse do të ishte kështu. Shumë i dashur, nuk është posti—është çiltëria; nuk është pozita—është hiri që do të na aftësojë për t’i shërbyer Perëndisë dhe për ta përlëvduar Atë. Padyshim që Perëndia lavdërohet në tavolinën e punës, ku punëtori i perëndishëm përmbush detyrën e tij duke i kënduar dashurisë së Shpëtimtarit. Në një mjedis të tillë modest, Perëndia përlëvdohet më tepër sesa në shumë foltore të larta, ku fetaria zyrtare kryen detyrat e saj të pakta. Emri i Jezusit përlëvdohet nga shoferi i taksisë teksa ai bekon Perëndinë dhe u flet pasagjerëve të tij përgjatë rrugës për shpresën e gjallë. Ai do të jetë më i dobishëm sesa predikuesi i njohur, i cili bën tregti me Ungjillin për përfitim. Perëndia përlëvdohet kur i shërbejmë Atij në profesionet që na ka dhënë. 

Bëj kujdes, lexues i dashur, që të mos e braktisësh shtegun e detyrës duke e lënë profesionin tënd, dhe ruhu se mos e çnderon profesionin tënd gjatë ushtrimit të tij! Mos i jepni shumë rëndësi vetes, por mos i jepni pak rëndësi thirrjeve tuaja! Ungjilli mund ta shenjtërojë çdo profesion të ligjshëm për qëllimet më fisnike. Kthehu te Bibla, dhe do të shihni se format më të rëndomta të punës janë të lidhura me veprat më guximtare të besimit ose me njerëz, jetët e së cilëve kanë qenë shembuj të shenjtërisë.

Prandaj, mos ji i pakënaqur me thirrjen tënde! Çfarëdo që Perëndia të të ketë dhënë si gjendje apo si punën tënde, qëndro në të, përveç nëse je plotësisht i sigurt se Ai po të thërret të bësh diçka tjetër. Qoftë kujdesi yt parësor që ta përlëvdosh Perëndinë me maksimumin e fuqive të tua aty ku ndodhesh! Jeto në gjendjen tënde të tanishme për lavdinë e Tij dhe në qoftë se i nevojitesh në një sferë tjetër, Ai do të ta tregojë. Sonte hidhe tutje ambicien e ankthshme dhe përqafo kënaqësinë e paqtë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin