Prill 2023

Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

Psalmi 67:6

Është e çuditshme se sa pak i përdorim bekimet frymërore që na jep Perëndia, por edhe më e çuditshme është se sa pak i drejtohemi vetë Perëndisë. Megjithëse Ai është “Perëndia ynë”, zor se ia dorëzojmë veten Atij, dhe kërkojmë shumë pak prej Tij!

Sa rrallë që kërkojmë këshillë nga duart e Zotit! Sa shpesh ndodh që i hyjmë një pune pa kërkuar drejtimin e Tij! Shih se sa shumë përpiqemi që t’i mbajmë vetë barrët tona kur kemi halle, në vend që t’i hedhim ato mbi Zotin, me qëllim që Ai të na mbështesë! Kjo nuk ndodh ngaqë nuk mundemi, sepse Zoti duket sikur po thotë: “O shpirt, unë jam yti; eja dhe më përdor si të ta dojë zemra! Mund të kalosh kur të duash nga magazina ime, dhe sa më shpesh të vish, aq më i mirëpritur do të jesh.”

Është faji ynë nëse nuk i shijojmë pasuritë e Perëndisë tonë. Përderisa ke një mik të tillë, që të fton, kërkoje ndihmën e Tij ditë për ditë! Nuk duhet të të mungojë asgjë, për sa kohë që ke një Perëndi, të cilit mund t’i drejtohesh në çdo kohë. Mos u frikëso dhe as mos e humb toruan, për sa kohë që ke një Perëndi i cili është i gatshëm të të ndihmojë! Shko te thesari yt dhe merr atje ç’të nevojitet—sepse aty mund të gjesh ç’të të dojë zemra! Mësoje artin hyjnor që të tregon se si ta bësh Perëndinë të jetë gjithçka për ty! Ai mund të të sigurojë gjithçka, ose më mirë akoma, Ai vetë mund të jetë gjithçka për ty.

Atëherë, lejomë të të nxis që ta përdorësh më shumë Perëndisë tënd. Përdore Atë më shumë në lutje! Shko shpesh tek Ai, sepse Ai është Perëndia yt! Si mund të mos e përdorësh një privilegj kaq të madh? Fluturo tek Ai; thuaja Atij të gjitha nevojat e tua! Përdore Atë vazhdimisht me anë të besimit! Nëse të ka mbështjellë një re e zezë e provanisë së Tij, përdore Perëndinë tënd si një “diell”; nëse të ka sulmuar ndonjë armik i fortë, ktheje Jahveh-un në një “mburojë”, sepse Ai është diell dhe mburojë për popullin e Tij! Nëse ke humbur nëpër labirintet e jetës, përdore Atë si “udhërrëfyes”, sepse Ai do të të udhëheqë! Në çfarëdo gjendjeje qofsh dhe kudo qofsh, kujtoji vetes se Perëndia është pikërisht çfarë të nevojitet, pikërisht aty ku të nevojitet, dhe se Ai mund të bëjë gjithçka që të nevojitet!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin