Prill 2023

Zoti është mbret përjetë.

Psalmi 10:16

Jezu Krishti nuk është mëtuesi despotik i një të drejte hyjnore, por Ai është me të vërtetë dhe përnjëmend i Vajosuri i Zotit! “Sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia” (Kolosianëve 1:19). Perëndia i ka dhënë Atij gjithë fuqinë dhe pushtetin.

Si Biri i njeriut, Ai është tani kreu i të gjitha gjërave në kishën e Tij dhe mbretëron mbi qiell, tokë dhe ferr, duke pasur të lidhura në brez çelësat e jetës dhe të vdekjes. Disa princa kanë pasur kënaqësinë ta quanin veten mbretër me anë të vullnetit të popullit, dhe natyrisht që edhe Zoti Jezu Krisht është i tillë në kishën e Tij. Po të mbahej ndonjëherë një votim nëse Jezusi duhet të ishte Mbreti i kishës, apo jo, çdo zemër besimtari do ta kurorëzonte Atë. Ne duhet ta kurorëzojmë Atë në një mënyrë më të lavdishme sesa çdo kurorëzim i tanishëm! Nuk do të na dukej i madh asnjë harxhim që do të bënim për ta përlëvduar Krishtin. Vuajtja do të ishte kënaqësi dhe humbja fitim nëse me anë të tyre, do të mund ta rrethonim ballin e Tij me kurora më të shndritshme dhe do ta bënim Atë edhe më të lavdishëm përpara njerëzve dhe engjëjve. Po, Ai do të mbretërojë! Rroftë Mbreti! Nderime për Ty, Mbreti Jezus! Nxitoni, ju shpirtra të virgjër, që e doni Zotin tuaj! Gjunjëzohuni përpara këmbëve të Tij; mbusheni udhën e Tij me zambakët e dashurisë suaj dhe me petalet e trëndafilave të mirënjohjes suaj. “Silleni diademën mbretërore dhe kurorëzojeni Atë Zot mbi gjithçka!”.

Veç kësaj, Zoti ynë Jezus është Mbreti i Sionit për shkak të së drejtës së pushtimit: Ai ka marrë me luftë zemrat e popullit të Tij dhe i ka shfarosur armiqtë që i mbanin ata nën zgjedhë mizore. Shpëtimtari ynë e ka mbytur Faraonin e mëkateve tona në Detin e Kuq të gjakut të Vet. E pra, a nuk e meriton Ai vallë të sundojë si Zot dhe Mbret? Ai na ka shpëtuar nga sundimi i mëkatit dhe mallkimi i rëndë i ligjit: e pra, a nuk duhet kurorëzuar Çlirimtari? Ne jemi pjesa e trashëgimisë së Tij, të cilën Ai ia hoqi nga duart armikut, me shpatën dhe me harkun e Tij. Kush mund t’ia rrëmbejë vallë ata që Ai i ka pushtuar? Nderime, Mbreti Jezus! E pranojmë me gëzim pushtetin Tënd të butë! Sundofsh në zemrat tona për jetë e mot, Ti Princ i dashur i Paqes!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin