spurgeon dev 27 nëntor am
November 2023

…kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të ZOTIT…

Zakaria 3:1

Te kryeprifti Jozue shohim simbolin e çdo fëmije të Perëndisë, i cili është afruar falë gjakut të Krishtit, është mësuar të shërbejë në gjërat e shenjta dhe të hyjë në vendin që gjendet pas perdes. Jezusi na ka bërë priftërinj dhe mbretër për Perëndinë, dhe madje edhe këtu mbi tokë, ne ushtrojmë priftërinë e jetës së shenjtëruar dhe shërbesës së shenjtë.

Mirëpo, thuhet se ky kryeprift po “qëndronte drejt përpara engjëllit të ZOTIT”, pra, po qëndronte për të shërbyer. Kjo duhet të jetë pozita e përhershme e çdo besimtari të vërtetë.

Tashmë çdo vend është tempulli i Perëndisë, dhe njerëzit e Tij mund t’i shërbejnë po aq mirë në punën e tyre të përditshme, sa edhe në shtëpinë e Tij. Ata duhet të jenë duke shërbyer gjatë gjithë kohës, duke ofruar flijime frymërore lutjeje dhe lavdërimi, dhe duke e paraqitur veten si “fli të gjallë” (Romakëve 12:1).

Mirëpo, vëre se ku qëndron për të shërbyer Jozueu—pikërisht drejt përpara engjëllit të Jahveh-ut. Ne krijesat e gjora dhe të fëlliqura mund të bëhemi priftërinj për Perëndinë vetëm me anë të një ndërmjetësuesi.

Paraqes atë që kam përpara lajmëtarit, engjëllit të besëlidhjes, Zotit Jezus; dhe lutjet e mia pranohen përmes Tij, duke qenë të mbështjella nga lutjet e Tij; lavdërimet e mia bëhen të ëmbla tek mbështillen prej tufave të erëzave aromatike nga vetë kopshti i Krishtit.

Në qoftë se nuk mund t’i çoj asgjë tjetër veç lotëve të mi, Ai do t’i bashkojë ata me të Vetët në të Tijën lotore, sepse edhe vetë qau dikur; në qoftë se nuk mund t’i çoj asgjë tjetër veç ofshamave dhe psherëtimave të mia, Ai, prapëseprapë, do t’i pranojë këto si një fli të përshtatshme, sepse edhe Atij dikur iu thye zemra dhe psherëtiu i rënduar në shpirt. Duke qëndruar në Të, edhe unë bëhem i pëlqyer në Të Dashurin; dhe po kështu, veprat e mia të fëlliqura, edhe pse në vetvete nuk janë veçse shkak i mospëlqimit hyjnor, bëhen të pëlqyera për Perëndinë dhe kështu, Ai ndien një aromë erëmirë. Ai është i kënaqur dhe unë jam i bekuar. Shihe, pra, pozitën e të krishterit—“një prift që qëndron drejt përpara engjëllit të ZOTIT”!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin