spurgeon dev 27 nëntor pm
November 2023

Faljen e mëkateve sipas pasurisë së hirit të tij.

Efesianëve 1:7

Vallë, a mund të ekzistojë një fjalë më e bukur sesa fjala “falje” në secilën gjuhë të botës, sidomos kur tingëllon në veshët e mëkatarit fajtor, ashtu si notat e hareshme të çlirimit për robin izraelit? Bekuar qoftë, bekuar qoftë për jetë e mot, ylli i dashur i faljes që ndriçon mbi qelinë e të dënuarit dhe i ngjall të humburit një rreze të vogël shprese në mesnatën e dëshpërimit! Si ka mundësi që mëkati, një mëkat i tillë si imi, të mund të falet, të falet një herë e mirë, një herë e përgjithmonë? Një mëkatari si puna ime i takon vetëm ferri—nuk ekziston asnjë shans që të shpëtoj prej tij, për sa kohë që mëkati mbetet ende në mua. A mund të çlirohem nga pesha e fajit? A mund të më hiqet njolla e purpurt? A mund të ndodhë që gurët e pathyeshëm të qelisë sime të burgut të dalin nga kllapat e tyre, apo a mund të dalin nga menteshat dyert e saj të hekurta?

Mirëpo, Jezusi më thotë se prapëseprapë ka një mënyrë për t’u shfajësuar. Qoftë e bekuar përjetë zbulesa e dashurisë shlyese, e cila jo vetëm më thotë se falja është e mundur, por edhe se është siguruar për të gjithë ata që besojnë në Jezusin! Kam besuar në flijimin shlyes, madje në vetë Jezusin e kryqëzuar, dhe si rrjedhojë, mëkatet e mia janë falur sot e përjetë për shkak të vuajtjeve dhe vdekjes së Tij zëvendësuese. Ç’gëzim i pamasë është ky! Ç’lumturi e paimagjinueshme është të jesh një shpirt plotësisht i falur! Shpirti im i përkushtohet me të gjitha forcat e veta Atij që, me dashurinë e Vet të dhënë falas, u bë Shpëtimtari im dhe siguroi për mua shpengimin përmes gjakut të Tij. Ç’pasuri hiri paraqet një falje e lirë si kjo! Thjesht të mendosh që na ka falur, na ka falur plotësisht, lirisht dhe përjetësisht—ç’panoramë mrekullish që është kjo!

Dhe kur mendoj se sa të mëdha ishin mëkatet e mia, sa të çmuara ishin pikat e vyera që më pastruan prej tyre, dhe sa e hirshme ishte metoda përmes së cilës u vulos falja për mua, më përshkon një ndjenjë habie adhuruese. Bie përmbys përpara fronit që më shfajëson, kap fort kryqin që më çliron, dhe të gjitha ditët e jetës sime i jap në shërbim të Perëndisë së Mishëruar, falë të cilit sonte jam një shpirt i falur.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin