Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
Mateu 26:56
Ai nuk i braktisi asnjëherë, por ata, duke pasur frikë prej burracaku se mos humbnin jetën, e braktisën pikërisht porsa po fillonin vuajtjet e Tij. Ky nuk është veçse një shembull mësimdhënës i brishtësisë së gjithë besimtarëve nëse lihen në qejf të vet; në rastin më të mirë, ata nuk janë veçse dele dhe ia mbathin me t’u shfaqur ujku. Ata të gjithë ishin paralajmëruar për rrezikun që i priste, por kishin premtuar se për ta ishte më mirë të vdisnin, sesa ta tradhtonin Mësuesin e tyre; e megjithatë, papritur i zuri paniku dhe ia mbathën nga sytë këmbët.
Mund të ndodhë që unë sot, në fillim të kësaj dite, ta kem ndarë mendjen se do të përballoj çfarëdo sprove për hir të Zotit dhe mendoj se jam i aftë që ta përballoj këtë sfidë; por megjithatë, le të jem i kujdesshëm, se mos vallë duke pasur të njëjtën zemër të ligë e mosbesuese, ia mbath edhe unë nga Zoti im, ashtu siç bënë edhe apostujt. Sepse të marrësh një premtim është e lehtë, por ta mbash atë, është shumë e vështirë. Ata do të kishin qenë të nderuar përjetësisht po të kishin qëndruar përkrah Jezusit si burra të vërtetë, por ata ikën nga nderi që i priste! Larg qoftë që ta ndjek edhe unë shembullin e tyre! E ku vallë mund ta gjenin një vend tjetër më të sigurt sesa përkrah Mësuesit të tyre, i cili, sa hap e mbyll sytë, mund të thërriste në ndihmë një duzinë legjione engjëjsh? Ata ia mbathën nga siguria e tyre e vërtetë.
O Perëndi, mos lejo që të tregohem edhe unë i marrë! Hiri hyjnor mund ta kthejë edhe më burracakun në një trim. Kandili që bën tym, mund të digjet me dritë të ndritshme përmbi altar, nëse ky është vullneti i Perëndisë. Madje edhe këta apostuj, të cilët ishin të druajtur si lepuj, u kthyen në luanë të vërtetë kur Fryma kishte zbritur mbi ta, dhe i njëjti Frymë e Shenjtë mund ta bëjë shpirtin tim mjeran aq të guximshëm, sa ta rrëfejë Zotin tim dhe ta dëshmojë të vërtetën e Tij. Çfarë trishtimi duhet ta ketë zënë Shpëtimtarin tek i pa miqtë e Tij të silleshin kaq pabesisht! Ky ishte një përbërës tjetër i hidhur në kupën e tij; por ajo kupë është pirë deri në fund; dhe mos i shtofsha asnjë pikë tjetër asaj!
Në e braktissha Zotin tim, do ta kryqëzoj për herë të dytë dhe do ta turpëroj Atë përpara të gjithëve. Ruamë, o Frymë e bekuar, nga një fund kaq i turpshëm!
© dritez.al 2024