Mars 2023

Por ajo tha: “E vërtetë, Zot; se edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet, që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre”.

Mateu 15:27

E vetmja gjë që e ngushëllonte këtë grua në mjerimin e saj, ishte konsiderata e lartë që kishte për Krishtin. 

Mësuesi kishte folur për bukën e fëmijëve, ndërsa ajo ishte përgjigjur: “Tani, përderisa je Kreu i tryezës së hirit, e di mirë se je një zot shtëpie zemërgjerë, ashtu siç jam e sigurt se në tryezën Tënde ka bukë me bollëk. Në fakt, do të ketë kaq shumë bollëk për fëmijët, saqë do të teprojnë edhe thërrime për t’ua hedhur këlyshëve në dysheme, madje fëmijët nuk do ta ndiejnë fare mungesën e ushqimit, edhe nëse qentë hanë mirë e mirë.” Sipas gruas, tryeza që shtronte Jezusi, ishte kaq e bollshme, saqë ushqimi që i nevojitej asaj, nuk ishte më shumë sesa një thërrime në krahasim me gjellët e shtruara mbi të; mirëpo, kujto që kërkesa e saj e vetme ishte nxjerrja e djallit nga trupi i së bijës. Për të, kjo ishte një gjë shumë e madhe, por duke qenë se kishte një konsideratë kaq të lartë për Krishtin, ajo tha: “Për Krishtin kjo nuk është asgjë; nuk është veçse një thërrime.” 

Kjo është rruga mbretërore drejt ngushëllimit. Po mendove vetëm për mëkatin tënd, do të zhytesh në dëshpërim; por pasja e konsideratës së lartë për Krishtin do të të çojë drejt limanit të paqes. “Mëkatet e mia janë të shumta, por ja, sa mirë, Krishti nuk e ka fare të vështirë të më pastrojë prej së gjithave. Pesha e fajit tim më shtyp ashtu si këmba e gjigantit e shtyp një krimb, por për Të nuk është më e rëndë se një grimcë rëre, sepse e ka mbartur një herë të tijin mallkim mbi trupin e Vet në drurin e kryqit. Për Jezusin nuk do të jetë një gjë e madhe të më japë faljen e plotë të mëkateve, megjithëse për mua do të jetë një bekim i pamasë ta marr atë.” Gruaja e hap deri në fund shpirtin e saj nevojtar, duke pritur gjëra të mëdha nga Jezusi, dhe Ai e mbush atë me dashurinë e Tij. 

Lexues i dashur, bëj të njëjtën gjë! Ajo e korri fitoren duke besuar tek Ai. Rasti i saj është shembulli i besimit fitimtar; dhe nëse dëshirojmë të ngadhënjejmë si ajo, duhet të imitojmë taktikat e saj.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin