27 mars

Mars 2022


Dhjetë gjëra të mahnitshme që i kemi për shkak të ringjalljes së Jezusit:

1) Një Shpëtimtar që nuk mund të vdesë më dhe një herë. “Duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më” (Romakëve 6:9).

2) Pendimi. “Perëndia i etërve tanë e ringjalli Jezusin, të cilin ju e vratë, duke e varur në dru. Atë Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendim” (Veprat 5:31).

3) Lindja e re. “Qoftë bekuar Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili sipas mëshirës së tij të shumtë na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish” (1 e Pjetrit 1:3).

4) Falja e mëkateve.Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja” (1 e Korintasve 15:17).

5) Fryma e Shenjtë. “Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë! Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi atë që ju tani shihni e dëgjoni” (Veprat 2:32-33).

6) Nuk ka më asnjë dënim për të zgjedhurit. Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, por për më tepër ai edhe u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne” (Romakëve 8:34).

7) Miqësia dhe mbrojtja personale e Jezusit. “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20).

8) Dëshmia e gjykimit të ardhshëm. “Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të një burri të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej së vdekurish” (Veprat 17:31).

9) Shpëtimi nga zemërimi i ardhshëm Perëndisë. “Për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na shpëton nga zemërimi që po vjen” (1 e Thesalonikasve 1:10; Romakëve 5:10).

10) Ringjallja jonë prej së vdekurish. “Duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit, dhe do të na paraqesë bashkë me ju” (2 e Korintasve 4:14; Romakëve 6:4, 8:11; 1 e Korintasve 6:14, 15:20).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia