artikull

Mars 2022


Tani është koha për t’i hedhur një vështrim të ri jetës tënde private të lutjes dhe për të ëndërruar për një ose dy ndryshime që mund të bësh në ditët në vijim. Zakonisht, mënyra më e mirë për t’u rritur dhe për të ecur përpara nuk është një rregullim i plotë i gjërave, por identifikimi i një ose disa ndryshimeve të vogla që do të japin frytin e tyre me kalimin e kohës.

Mbase ke pak jetë lutjeje të vërtetë personale, ose aspak (e cila duhet të jetë diçka e zakonshme mes të krishterëve, të cilët pretendojnë se janë të tillë), dhe të duhet vërtet të fillosh nga e para. Mund ta ndiesh edhe vetë peshën e alarmit të Francis Chan-it kur thotë: “Shqetësimi im më i madh për këtë brez është paaftësia jote për t’u përqendruar, veçanërisht në lutje”.

Nëse ke nevojë për një vetëvlerësim të vogël, apo për të mësuar si fillestar, unë do të doja të ofroja disa pika praktike për lutjen personale. Por le të fillojmë më parë me pyetjen: “Pse një lutje personale, ose ‘lutje në dhomëzën e vogël’, është më e rëndësishmja?”

Lutja në “dhomëzën e vogël”

“Lutja në dhomëzën e vogël” e merr emrin nga predikimi i famshëm i Jezusit në mal te Mateu 5-7. Konteksti i këtij predikimi përfshin udhëzimet e Jezusit për të mos e dhënë “lëmoshën tuaj para njerëzve, që të dukeni para tyre” (Mateu 6:1). 

“Dhe kur lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, që njerëzit t’i shohin; me të vërtetë ju them se tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas” (Mateu 6:5-6).

Ashtu si lutja me zë të lartë pati pasojat e veta të brendshme në judaizmin e shekullit të parë, po ashtu ndodh edhe në komunitetet tona kishtare të shekullit të njëzetë e një, qoftë në kishë apo në grup të vogël, ose thjesht në tryezë me miqtë dhe familjen. Mund të jetë e lehtë që, motivi ynë kryesor për t’u lutur me të tjerët, të jetë të bërit përshtypje atyre përmes zgjatjes së lutjes, tonit, temës apo zhargonit tonë. Të gjitha të zgjedhura me kujdes për të krijuar efekte të caktuara vetëm te dëgjuesit tanë njerëzorë.

Është një shteg i vështirë për të ecur, sepse ne duhet të lutemi publikisht—në kishë, në shtëpitë tona dhe në vende të tjera. Kur lutemi në publik, ne duhet të marrim parasysh faktin se të tjerët po dëgjojnë; duhet të kemi në mendje të tjerët. Ndaj ekziston rreziku i anashkalimit të Perëndisë dhe zhvendosjes së fokusit tonë te vetja për t’u dukur mbresëlënës.

Prova e vërtetësisë

Lutja në “dhomëzën e vogël” ofron një provë vërtetësie për sa i përket lutjes tonë në publik. Ndërsa Tim Keller-i komenton te Mateu 6:5–6:

Jezusi thotë se prova e pagabueshme e integritetit shpirtëror është jeta jote personale e lutjes. Shumë njerëz luten për shkak të besimeve kulturore apo shoqërore, ose ndoshta për shkak të ankthit të shkaktuar nga rrethanat shqetësuese. Megjithatë, ata që kanë përjetuar një marrëdhënie të vërtetë me Perëndinë si Atë, së brendshmi do të duan të luten dhe prandaj do të luten, edhe pse asgjë nga jashtë nuk i shtyn ta bëjnë këtë. Ata luten edhe gjatë kohërave të thatësisë shpirtërore, kur nuk ka asnjë përfitim social ose eksperimental. (Lutja, 23)

Lutja personale është një provë e rëndësishme nëse jemi të vërtetë.

Kura për pamjaftueshmërinë

Lutja personale nuk është vetëm një provë e vërtetësisë tonë në besim, por është gjithashtu edhe një ilaç i vazhdueshëm për pamjaftueshmërinë tonë dhe mungesën e dëshirës që shpesh ndiejmë për Perëndinë. Sipas John Piper-it, lutja nuk është “vetëm matësi i zemrave tona, e cila zbulon atë që me të vërtetë dëshirojmë, por është gjithashtu ilaçi i domosdoshëm për zemrat tona kur nuk e dëshirojmë Perëndinë ashtu siç duhet"” (When I Don’t Desire God, 153).

Lutja personale tregon se kush jemi në të vërtetë shpirtërisht dhe është thelbësore në shërimin e shumë vendeve ku e gjejmë veten të thyer, në nevojë, të mangët dhe rebelë.

Konteksti për marrëdhënien me Perëndinë

Siç Keller-i vëren, lutja është thelbësore për “një marrëdhënie të vërtetë me Perëndinë si Atë”. Kjo është zemra e lutjes–jo të marrim gjëra nga Perëndia, por të marrim Vetë Perëndinë. Lutja është vendi ku ne i flasim Perëndisë, si përgjigje ndaj Fjalës së Tij për ne dhe ku përjetojmë se çfarë do të thotë ta gëzosh Atë si një qëllim në vetvete, jo thjesht si një mjet për kërkesat tona. Në lutje, ne gëzojmë dhuratën e të pasurit vëmendjen e Perëndisë dhe zbulojmë për veten tonë se nuk jemi thjesht shërbëtorë, por miq të Tij (Gjoni 15:15). Ne nuk jemi thjesht dëgjues të Fjalës së Tij, por vetë bijtë që kanë zemrën e Tij (Romakëve 8:15-16; Galatasve 4:6-7). Ai dëshiron të dëgjojë nga ne. E tillë është fuqia dhe privilegji i lutjes.

Ja ku shohim pse Jezusi e praktikoi aq mirë atë që predikoi për lutjen dhe gjetjen e një “dhomëze të vogël”. Ai nuk kishte mangësi për të plotësuar dhe nuk kishte dyshime për vërtetësinë e Tij, por dëshironte dëshpërimisht shoqërinë me Atin e Tij. Dhe kështu, përsëri dhe përsëri, Ai lutej vetëm. “Dhe si e nisi turmën, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur... [Ai] ishte aty, i vetëm fare” (Mateu 14:23; Marku 6:46). Jo vetëm një herë, por si një zakon i rregullt, “ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej” (Luka 5:16). “Dhe, t nesërmen  në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut” (Marku 1:35).

Përpara se të zgjidhte dymbëdhjetë dishepujt e vet, “ai shkoi në mal për t’u lutur dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Luka 6:12). Edhe në Gjetsemani, Ai “shkoi dhe u lut” tri herë (Mateu 26:36, 42, 44; gjithashtu Marku 14:32-42). Që nga fillimi i shërbesës së Tij deri në prag të së Premtes së Madhe, Ai praktikoi lutjen personale si një pjesë thelbësore të marrëdhënies së Tij me Atin.

Dhe kështu, është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e lutjes personale. Në shumë mënyra, ajo është masa e asaj që jemi shpirtërisht. J.I. Packer--i thotë se mënyra si lutemi, “është një nga pyetjet më të rëndësishme me të cilën mund të përballemi ndonjëherë”.

Pesë sugjerime për lutjen e fshehtë

Është e qartë se lutja personale është e rëndësishme, madje thelbësore për të krishterin. Por mënyra se si ne e bëjmë lutjen personale është jashtëzakonisht e hapur për përvojat, rutinat dhe modelet tona të shumanshme në stinët e ndryshme të jetës sonë. Ndërsa vlerëson (ose fillon) ritmet dhe praktikat e tua, këtu janë pesë sugjerime për pasurimin e lutjes personale.

1. Krijo dhomëzën tënde.

Gjej vendin tënd të zakonshëm për lutje personale dhe nëse nuk mund të gjesh një vend të gatshëm, bëj një të tillë. Mund të jetë thjesht një tavolinë e pastër, ose një vend ku mund të gjunjëzohesh. Shumë kanë zbuluar se lutja pranë shtratit është më e frytshme sesa ajo kur shtrihesh në shtrat. Ndoshta mund të gjesh një gardërobë të vërtetë, apo qoshe poshtë shkallëve me hapësirë të mjaftueshme për t’u ulur ose për t’u gjunjëzuar, dhe dritë të mjaftueshme për të lexuar e madje për të shkruar. Kur ke këtë vend ku të shkosh, do të të ndihmojë të jesh i rregullt në lutjet personale.

2. Fillo me Biblën.

Për shkak se lutja është një bisedë që nuk nis nga ne, por është një përgjigje ndaj iniciativës së Perëndisë dhe Fjalës së Tij, shumë prej nesh kanë mësuar nga George Mueller-i që të fillojmë së pari me Shkrimet. Mueller-i thotë se për dhjetë vjet, ai e niste çdo ditë me një përpjekje të menjëhershme për lutje të zjarrtë dhe të zgjatur, vetëm që të mësonte sa të pasura dhe të qarta ishin lutjet e tij kur ato vinin si përgjigje ndaj Fjalës së Perëndisë.

Që nga ajo kohë, Mueller-i e niste ditën me një lutje të shkurtër për ndihmën e Zotit gjatë leximit, më pas shkonte te Bibla dhe i vinte veshin për të dëgjuar Perëndinë në të, duke medituar mbi Shkrimet. Më pas kalonte përmes disiplinës së meditimit, në kohën e tij të lutjes së përditshme private.

3. Adhuro, rrëfe, falëndero, pyet.

Pas leximit dhe meditimit mbi Biblën dhe përpara se të hapësh portat për “lutjen e lirë”–të shprehësh gjithçka që ke në zemër–mund të të ndihmojë të kesh një model të gatshëm. William Law-i këshilloi që lutjet e mëngjesit “kanë diçka të programuar dhe diçka spontane”. Kështu është edhe me lutjen private.

Martin Luteri rekomandoi lutjen përmes modelit të Lutjes së Zotit, të shoqëruar me fjalë të reja çdo ditë. Një formë e testuar janë VEPRAT: adhurimi, rrëfimi, falënderimi, lutja. Së pari, adhuro Perëndinë me lavdërim për të vërtetën e zbuluar në leximin dhe meditimin tënd mbi Shkrimet, pastaj rrëfe mëkatet, të metat dhe dobësitë e tua, më pas falëndero për hirin dhe mëshirën e Tij, dhe në fund lutu–kërkoji Atij–kërkesa për veten, familjen, kishën tënde dhe më tepër.

4. Zbulo dëshirat e tua–dhe zhvilloji ato.

Në fillim, diçka e programuar; tani, diçka spontane. Kjo është “lutja e lirë”, ku ne lutemi me zemrat tona për barrët dhe shqetësimet që janë mbi ne në atë ditë dhe në atë periudhë të jetës. Në lutjet private, ne jemi më të sinqertë me Perëndinë dhe me veten tonë. Hapja zemrën Atit tënd. Ai e di tashmë dhe dëshiron të dëgjojë nga ti. Ky është një privilegj i papërshkrueshëm.

Megjithatë, lutja drejtuar Zotit nuk është vetëm vendi për të zbuluar zemrën tonë, por edhe për të vënë në realitet dëshirat tona. Lutja ka fuqi. Ajo i ndryshon zemrat tona si asgjë tjetër. Ndoshta kur ndjekim veçanërisht lutjet e Biblës, të gjendura në psalme dhe ato nga apostulli (si tek Efesianëve 1:17-21; 3:16-19; Filipianëve 1:9-11; Kolosianëve 1:9-12) etj., si udhërrëfyese për formimin dhe shprehjen e dëshirave tona ndaj Perëndisë.

5. Mbaje lutjen të freskët.

Ndryshoje atë çdo vit të ri, muaj të ri, apo në një periudhë të re të jetës. Rregullisht, ose edhe me raste, shkruaji lutjet me përqendrim dhe me kujdes (një aspekt i vlefshëm i disiplinës së ditarit), ose shprehe dashurinë tënde në lutje me anë të agjërimit, apo bëj edhe një pushim nga kaosi i jetës duke u tërhequr veç për një kohë lutjeje të qetë dhe private.

Pak gjëra janë aq të denja për vëmendjen dhe investimin tonë sa privilegji dhe fuqia e lutjes private.


David Mathis është redaktor ekzekutiv për desiringgod.org dhe pastor i kishës “Cities Church”. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Rich Wounds: The Countless Treasures of the Life, Death, and Triumph of Jesus (2022).


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/the-power-and-privilege-of-gods-children  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>