korrik 27

Korrik 2022


Kur e ballafaqova një burrë për kurorëshkeljen, në të cilën po jetonte, u përpoqa ta kuptoja situatën e tij dhe iu përgjërova që të kthehej te bashkëshortja. Pastaj i thashë: “E di çfarë? Jezusi tha se nëse nuk e lufton këtë mëkat me atë lloj serioziteti që të jesh i gatshëm për të nxjerrë edhe syrin nga vendi, do të shkosh në ferr dhe do të vuash atje përjetë.”

Si dikush që pohonte se ishte i krishterë, ai më pa me një qëndrim krejtësisht mosbesues, sikur të mos kishte dëgjuar kurrë ndonjë gjë të tillë në jetën e tij dhe më tha: “Do të thuash se ti mendon që dikush mund ta humbasë shpëtimin?”

Prandaj, nga përjetimet personale kam mësuar se herë pas here ka shumë nga ata që pohojnë se janë të krishterë, të cilët kanë një pikëpamje për shpëtimin, që i shkëput ata nga jeta reale dhe i shfuqizon kërcënimet e Biblës. Kjo pikëpamje e vendos personin që mëkaton dhe pretendon se është i krishterë, përtej këtyre paralajmërimeve biblike. Unë besoj se kjo pikëpamje e jetës së krishterë po u jep rehati mijëra njerëzve që janë në rrugën e gjerë dhe që të çon në shkatërrim (Mateu 7:13).

Jezusi tha se nëse nuk lufton kundër epshit, nuk do të shkosh në qiell. “Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbasësh një nga gjymtyrët e tua, sesa të hidhet në ferr gjithë trupi yt” (Mateu 5:29). Ideja nuk është që të krishterët e vërtetë gjithmonë fitojnë në çdo betejë. Ideja është që ne vendosim të luftojmë, dhe jo që kemi sukses të përsosur. Ne nuk bëjmë paqe me mëkatin, por luftojmë kundër tij.

Rreziku është shumë më i lartë sesa kur bota hidhet në erë nga një mijë raketa me rreze të gjatë, ose nëse terroristët bombardojnë qytetin tënd, ose nëse ngrohja globale i shkrin akujt e poleve, ose nëse SIDA i shfaros kombet. Të gjitha këto fatkeqësi mund të vrasin thjesht trupin, por nëse nuk luftojmë kundër epshit, e humbasim përjetë shpirtin tonë.

Pjetri thotë se lakmitë e mishit luftojnë kundër shpirtit tonë (1 e Pjetrit 2:11). Rreziqet në këtë luftë janë pafundësisht më të larta se në ndonjë kërcënim tjetër nga lufta botërore apo terrorizmi. Apostulli Pal radhiti “kurvërinë, papastërtinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari,” pastaj tha se “për shkak të këtyre zemërimi i Perëndisë vjen” (Kolosianëve 3:5-6). Zemërimi i Perëndisë është pafundësisht më i frikshëm se zemërimi i të gjitha kombeve të botës, të marrë së bashku.

Perëndia na dhëntë hir për ta marrë seriozisht shpirtin tonë dhe të të tjerëve, dhe të vazhdojmë luftën.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia