…premtimet shumë të mëdha e të çmueshme...
2 e Pjetrit 1:4
Në qoftë se dëshiron ta dish nga përvoja jote se sa të çmuara janë premtimet dhe t’u gëzohesh atyre në zemrën tënde, qëndro gjatë në përsiatje rreth tyre. Ka premtime që u ngjajnë vileve të rrushit brenda shtypëses; kur i shtyp mirë e mirë, lëngu rrjedh prej tyre. Të menduarit rreth fjalëve të shenjta, shpesh do të jetë preludi i jetësimit të tyre. Teksa mendohesh thellë rreth tyre, e mira që po kërkon, do të të vijë pa bujë e pa zhurmë. Janë të shumtë të krishterët, të cilët e kanë dëshiruar fort realizimin e një premtimi, që kanë zbuluar se përmbushja e tij i është zbuluar butësisht shpirtit të tyre pikërisht gjatë kohës kur po meditonin rreth fjalëve hyjnore; dhe janë ngazëllyer në faktin se sa mirë bënë që e morën premtimin në zemër.
Mirëpo, përveç përsiatjes rreth premtimeve, përpiqu që t’i marrësh në shpirtin tënd sikur të ishin vetë fjalët e Perëndisë për ty. Thuaji kështu shpirtit tënd: “Në qoftë se do të kisha të bëja me një premtim njerëzor, do ta shqyrtoja me kujdes aftësinë dhe karakterin e njeriut që më dha besën. Kështu duhet të veproj edhe me premtimet e Perëndisë, sepse sytë e mi nuk duhet të jenë aq shumë të ngulur mbi madhështinë e mëshirës—gjë që mund të bënte që ta humbisja fare—sesa mbi madhështinë e Premtuesit—gjë që do të më lumturonte.
Shpirti im, Dhënësi i fjalës është vetë Perëndia, madje Perëndia yt, Perëndia i cili s’mund të gënjejë. Kjo fjalë e Tij, që ti po e shqyrton tani, është po aq e vërtetë, sa edhe vetë qenia e Tij. Ai është një Perëndi i pandryshueshëm. Ai nuk i ka ndryshuar as edhe një presje fjalës së dalë nga goja e Tij, dhe as e ka marrë mbrapsht ndonjë fjali ngushëlluese të thënë prej Tij. Po ashtu, Atij nuk i mungon as fuqia; Ai që ka folur, është Perëndia që ka krijuar qiejt dhe tokën. Atij nuk i mungon as urtësia për të gjetur kohën e duhur se kur t’i derdhë të mirat e Tij, sepse Ai e di se kur është mirë të japë dhe kur është mirë ta mbledhë dorën. Kështu, pra, duke parë se fjala e Perëndisë është kaq e vërtetë, kaq e pandryshueshme, kaq e fuqishme dhe kaq e mbushur me urtësi, unë do t’i besoj dhe duhet t’i besoj premtimit.” Në qoftë se do të meditojmë kështu mbi premtimet dhe do ta kemi parasysh Dhënësin e tyre, ne do të përjetojmë të tyren ëmbëlsi dhe do të sigurojmë përmbushjen e tyre.
© dritez.al 2024