January 2023

Dhe ne të gjithë morëm prej plotësisë së tij.

Gjoni 1:16

Këto fjalë na flasin për plotësinë që është në Krishtin. Në Të gjendet vetë mbushullia hyjnore, “sepse në të banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianëve 2:9). Mirëpo, në Të gjendet edhe mbushullia e njeriut të përsosur, sepse, në Të, vetë Hyjnia na u zbulua në mish. Në gjakun e Tij gjendet plotësia e efektshmërisë së shlyerjes, sepse “gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 e Gjonit 1:7). Në jetën e Tij gjendet plotësia e drejtësisë shfajësuese, sepse “tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). Ka një plotësi pushteti hyjnor në lutjen e Tij, sepse “mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25). Ka një plotësi fitoreje në vdekjen e Tij, sepse duke vdekur, Ai e shkatërroi mbajtësin e pushtetit të vdekjes—që është Satani. Ka një plotësi efektshmërie edhe në ringjalljen e tij nga të vdekurit, sepse falë saj “na rilindi për një shpresë të gjallë” (1 e Pjetrit 1:3). Ka një plotësi ngadhënjimi në ngjitjen e Tij, sepse “kur u ngjit në lartësi, e robëroi robërinë dhe u dha dhurata njerëzve” (Efesianëve 4:8). Ka një plotësi bekimesh të çdo lloji e forme; një plotësi hiri për të falur, hiri për të rilindur, hiri për të shenjtëruar, hiri për të ruajtur dhe hiri për të përsosur. Ka plotësi për të gjitha situatat; një plotësi ngushëllimi në mes të vuajtjeve dhe një plotësi udhëheqjeje në kohërat e bollëkut. Ka një plotësi të çdo atributi hyjnor—në daç urtësi, fuqi, a dashuri; një plotësi sa e vështirë për t’u kuptuar, aq edhe e vështirë për t’u studiuar e tëra. “...sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia.” (Kolosianëve 1:19)

Oh, ç’plotësi duhet të jetë kjo prej së cilës marrin të gjithë! Duhet të jetë vërtet plotësi, nëse burimi rrjedh pa ndërprerje, dhe megjithatë, uji del prej tij po aq i bollshëm, po aq gurgullues dhe po aq i plotë sa përherë. Eja, besimtar, dhe plotëso këtu të gjitha nevojat e tua! Sa më shumë që të kërkosh, aq më tepër do të marrësh, sepse kjo “plotësi” është e pashtershme dhe ruhet aty ku mund ta arrijnë të gjithë nevojtarët, edhe në Jezusin, Emanuelin—Perëndia me ne.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>