Por Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.
Luka 2:19
Nga çfarë shohim këtu, kjo grua e bekuar i ushtronte të tria aftësitë e qenies së saj: kujtesën e saj—i ruante të gjitha këto fjalë; ndjenjat e saj—i ruante të gjitha në zemrën e saj dhe intelektin e saj—ajo meditonte rreth tyre; kështu që të tria së bashku: kujtesa, ndjenjat dhe intelekti, viheshin në punë rreth gjërave që ajo kishte dëgjuar.
I dashur, kujtohu për ato që ke dëgjuar për Zotin tënd Jezus dhe për gjithçka që Ai ka bërë për ty! Shndërroje zemrën tënde në një tas floriri plot me mana, për të ruajtur kujtimin e ushqimit hyjnor, me të cilin u ushqeve kohë më parë! Bëj që kujtesa jote, porsi thesar, të ruajë gjithçka që ke përjetuar, ditur ose besuar në lidhje me Krishtin, dhe për më tepër, ndjenjat e tua të dashurisë le të kapen fort pas Tij përngaherë!
Duaje personin e Zotin tënd! Nxirre enën e alabastrës së zemrës sate edhe në qoftë thyer, dhe le të rrjedhë i gjithë vaji i çmuar i dashurisë sate mbi këmbët e Tij të shpuara! Lëre intelektin tënd të meditojë rreth Zotit Jezus! Kalo kohë në përsiatje për vargjet që lexon! Mos u ndal në sipërfaqe, por zhytu thellë e më thellë! Mos ji si dallëndyshja që vetëm sa e prek përroin me krahun e vet, përkundrazi, ji si peshku që futet edhe poshtë dallgës më të thellë!
Qëndro në Zotin tënd: kurrë mos qoftë për ty si një shtegtar që rri për një natë, por mbaje aty duke i thënë: “Rri me ne … dita po mbaron” (Luka 24:29)! Shtrëngoje fort dhe mos e lër të ikë! Fjala “meditoj” do të thotë të peshosh. Bëje gati kandarin e gjykimit! Oh, po a ka peshore që mund ta peshojë Zotin Jezus? “Ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël”—kush mund ta ngrejë Atë? Ai “i ka peshuar malet me një peshore”, pra, a ka peshore që mund ta peshojë Atë (Isaia 40:15, 12)? Edhe në mos ta kaptë intelekti këtë gjë, lëri ndjenjat që ta bëjnë. Dhe në qoftë se shpirti yt e ka të pamundur ta ngërthejë Zotin Jezus me anë të intelektit, atëherë le ta përqafojë Atë me krahët e dashurisë.
© dritez.al 2024