27 janar

Janar 2022



Jezusi do që ndjekësit e Tij të jenë të lirë nga shqetësimi. Te Mateu 6:25-34, Ai na jep të paktën shtatë argumente, të cilat kanë për qëllim të na e largojnë ankthin. Njëri prej tyre radhit ushqimin, pijen dhe veshjen, dhe pastaj thotë: “Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha” (Mateu 6:32).

Jezusi duhet ta ketë me kuptimin që njohja e Perëndisë shoqërohet nga dëshira e Tij për të plotësuar nevojën tonë. Ai po thekson se ne kemi një Atë dhe ky Atë është më i mirë se çdo atë tjetër tokësor.

Unë kam pesë fëmijë. Dua t’i plotësoj nevojat e tyre me dashuri, por njohja ime nuk krahasohet me njohjen e Perëndisë, në të paktën tri mënyra.

Së pari, tani unë nuk e di se ku janë fëmijët e mi. Mund të hamendësoj. Ata janë në shtëpitë e tyre, në punë, në shtëpi apo në shkollë, me shëndet dhe të sigurt. Gjithsesi mund të jenë të shtrirë në një trotuar, për shkak të një ataku në zemër.

Së dyti, unë nuk e di se çfarë ka në zemrën e tyre në një moment të caktuar. Herë pas here mund të hamendësoj, por ata mund të jenë duke ndierë frikë, lëndim, zemërim, epsh, lakmi, gëzim ose shpresë. Unë nuk mund t’i shoh zemrat e tyre. As ata vetë nuk i njohin zemrat e tyre në mënyrë të përsosur.

Së treti, unë nuk e di të ardhmen e tyre. Tani për tani, ata mund të duken mirë dhe të qëndrueshëm, por nesër mund t’iu bjerë ndonjë dhimbje e madhe.

Kjo do të thotë se unë nuk mund të jem për ta një arsye shumë e fortë që të mos shqetësohen. Tani mund të ketë gjëra që po iu ndodhin atyre, apo që mund t’iu ndodhin nesër, për të cilat as që e kam idenë. Por është krejt ndryshe me Atin e tyre në qiell. Me Atin tonë në qiell! Ai di gjithçka për ne, ku jemi, tani dhe nesër, brenda dhe jashtë. Ai e sheh çdo nevojë.

Kësaj shtojini gatishmërinë e Tij të madhe për t’i plotësuar nevojat tona. Mbani mend frazën “shumë më tepër” nga Mateu 6:30, “Por nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju?”

Kësaj shtojini edhe aftësinë e Tij të plotë për të bërë atë që është i gatshëm të bëjë (çdo orë, Ai ushqen miliarda zogj përreth botës, Mateu 6:26).

Prandaj, bashkohuni me mua dhe le t’i besojmë premtimit të Jezusit për të plotësuar nevojat tona. Këtë gjë na kërkon Jezusi kur thotë: “Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia