spurgeon dev 27 gusht am
August 2023

“Deri kur do të refuzojnë të besojnë…?”

Numrat 14:11

Përpiqu plot zell për ta mbajtur larg përbindëshin mosbesim. Ky i fundit është kaq çnderues për Krishtin, saqë Ai do ta largonte praninë e Vet të dukshme po qe se do ta fyenim Atë duke e toleruar mosbesimin. Mosbesimi është me të vërtetë një bar i keq, të cilin nuk mund ta tëharrim asnjëherë plotësisht nga toka, por duhet të synojmë t’ia shkulim rrënjët me zell dhe këmbëngulje. Mes gjërave të urryera, mosbesimi është i pari që duhet mposhtur. Natyra e tij e dëmshme është kaq helmuese, saqë si ai që e ushtron, edhe ai kundër të cilit ushtrohet, dëmtohen prej tij. Në rastin tënd, o besimtar, është edhe më i lig, sepse mëshirat e Zotit tënd në të kaluarën ta shtojnë fajin po qe se sot dyshon tek Ai. Sa herë që shfaq mosbesim në Zotin Jezus, Ai me të drejtë mund të thërrasë: “Ja, unë jam i shtypur poshtë jush, ashtu siç është e shtypur qerrja e mbushur me duaj.” Të dyshosh është njëlloj sikur ta kurorëzosh kokën e Tij me gjemba aq të mprehtë sa më nuk bëhet.

Është një nga gjërat më mizore që mund të bëjë një grua fort e dashuruar, kur nuk ka më besim te bashkëshorti i saj i mirë dhe besnik. Mëkati është diçka e panevojshme, e pamend dhe e pajustifikueshme. Jezusi nuk na ka dhënë asnjëherë as shkakun më të vogël për të dyshuar tek Ai, dhe është e rëndë që të dyshohesh prej atyre ndaj të cilëve sillesh gjithmonë me dashuri dhe vërtetësi. Jezusi është Biri i Shumë të Lartit dhe ka pasuri të pamasë; ja pse është turp i madh të dyshojmë në Gjithëfuqinë dhe të mos kemi besim në gjithmjaftueshmërinë e Tij. Bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male, do të mjaftojë edhe për urinë tonë më të madhe, dhe hambarët e qiellit nuk ka të ngjarë të boshatisen edhe pasi të kemi ngrënë të gjithë ne. Në qoftë se Krishti do të kishte qenë një cisternë e vetme, shpejt do ta shteronim plotësinë e Tij, por kush mund ta shterojë një burim uji? Për shekuj me radhë, mijëra besimtarë i kanë marrë furnizimet e tyre prej Tij, dhe asnjëri prej tyre nuk është ankuar për pamjaftueshmërinë e burimeve të Tij.

Shporre tutje këtë mosbesim tradhtar e gënjeshtar, sepse qëllimi i tij i vetëm është të prishë lidhjet e përbashkësisë dhe të na bëjë të vajtojmë një Shpëtimtar të munguar! Bunyan-i na thotë se mosbesimi ka “po aq jetë sa edhe macja”; në qoftë se është kështu, le ta vrasim një nga jetët e tij tani dhe le ta vazhdojmë punën derisa t’i mbysim që të nënta. Shporru, ti tradhtar, sepse zemra ime të ka neveri!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin