Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi i së vërtetës.
Psalmi 31:5
Këto fjalë janë përdorur shpesh nga të perëndishmit në orën e tyre të largimit nga kjo jetë. Do të përfitonim po t’i shqyrtonim këto fjalë sonte. Objekti i vëmendjes së besimtarit, në jetë dhe në vdekje, nuk është trupi apo pasuria e tij, por shpirti; ky është thesari i vet i zgjedhur: nëse ky ruhet i sigurt, atëherë gjithçka shkon mirë. E si mund të krahasohet vallë shëndeti fizik me shpirtin?
Besimtari e lë shpirtin e vet në duart e Perëndisë; shpirti erdhi prej Tij, i përket Atij, Ai e ka mbajtur atë, Ai është i aftë të vazhdojë ta mbajë dhe është e drejtë që Ai ta marrë atë. Të gjitha gjërat janë të sigurta në duart e Jahveh-ut; ajo që i besojmë Zotit, do të jetë e sigurt, qoftë sot, ashtu edhe në atë ditë të ditëve drejt së cilës po nxitojmë. Prehja në përkujdesjen e qiellit do të thotë jetë e përshkuar nga paqja dhe vdekje e lavdishme. Në çdo rast, gjithçka kemi duhet t’ia përkushtojmë dorës besnike të Jezusit; atëherë edhe nëse jeta varet në fije të perit dhe vështirësitë shumohen si rëra e detit, shpirti ynë do të banojë në siguri dhe do të kënaqet në vende të qeta e çlodhëse.
“Ti më shpengove, o Zot, Perëndi i së vërtetës.” Shpengimi është një themel i fortë për besimin. Davidi nuk e njohu Golgotën siç e njohim ne, por ashtu siç ngazëlleu ai për shkak të shpengimit [të përkohshëm], ne do të ngushëllohemi ëmbëlsisht nga shpengimi i përjetshëm. Çlirimet e së kaluarës janë garanci të forta për ndihmë të tanishme. Zoti do t’i përsërisë bëmat e së kaluarës, sepse nuk ndryshon dot. Ai u qëndron besnik premtimeve të Veta dhe është i hirshëm me shenjtorët e Tij; Ai nuk do t’ia kthejë kurrizin njerëzve të Tij.
Edhe sikur të më vrasësh, do të besoj,
Shtrirë në pluhur do të t’lavdëroj,
Dashurinë tënde të papërshkrueshme
Do t’shijoj dhe do t’tregoj.
Mund t’më ndreqësh dhe korrigjosh,
Por kurrë s’do t’më lësh pas dore;
Meqë çmimi shlyerës është paguar,
Mbi dashurinë tënde, shpresa ime ka qëndruar.
© dritez.al 2024