spurgeon dev 27 dhjetor am
December 2023

…a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?

Jobi 8:11

Xunkthi është i epshëm dhe bosh nga brenda. I ngjashëm me të është edhe hipokriti; ai nuk ka thelb dhe qëndrueshmëri në vetvete. Xunkthi tundet e shkundet nga çdo erë, porsi formalistët që bien pre e çdo ndikimi; ja pse xunkthi nuk thyhet nga stuhia, dhe as hipokritët nuk janë të thirrur që të përballen me persekutime. As dua ta mashtroj veten dhe as t’i mashtroj të tjerët; ndoshta vargu i sotëm mund të më ndihmojë për ta vënë në provë veten, nëse jam hipokrit ose jo.

Xunkthi për vetë natyrën e Tij gjallon në ujë dhe arrin të mbijetojë vetëm falë llucës dhe lagështisë ku ka lëshuar rrënjë, sepse me t’u tharë lluca, ai thahet sa hap e mbyll sytë. Gjelbërimi i tij varet plotësisht nga kushtet rrethuese; furnizimi i vazhdueshëm me ujë e bën atë të lulëzojë, ndërsa thatësira e than menjëherë.

Vallë, a mos po ndodh kështu edhe me mua? A mos vallë i shërbej Perëndisë kur jam në shoqëri të mirë ose kur besimi konsiderohet një gjë e dobishme dhe e nderuar? A mos vallë e dua Zotin vetëm kur jam duke shijuar bekime dhe ngushëllime prej duarve të Tij? Në qoftë se është kështu, atëherë jam vetëm një hipokrit dhe ashtu si xunkthi që thahet, edhe unë do të thahem kur vdekja të më privojë nga gëzimet e kësaj bote.

Mirëpo, a mund ta pohoj ndershmërisht se e kam ruajtur integritetin tim edhe atëherë kur bekimet fizike kanë qenë të pakta, apo kur rrethanat e mia jetësore kanë qenë armiqësore ndaj hirit, në vend që të ishin të dobishme për të? Atëherë kam shpresë se zotëroj një perëndishmëri të gjallë e të mirëfilltë.

Xunkthi nuk rritet dot pa ujë, por bimët e Zotit mund dhe lulëzojnë edhe kur ka thatësirë. Njeriu i perëndishëm shpesh rritet më mirë kur rrethanat e kësaj bote janë demoralizuese. Kush e ndjek Krishtin për shkak të parasë, ngjason me Judën; ata që e ndjekin për bukë e për peshq, janë bijtë e djallit; por ata që qëndrojnë afër Tij të shtyrë nga dashuria për Të, janë të dashurit e Tij. Zot, bëj që ta gjej jetën në Ty, dhe jo në dunat e favorit ose leverdisë së kësaj bote!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin